U arrestua pasi kundërshtoi policinë, kush është 49-vjeçari i dënuar për tre vrasje?

Policia e Tiranës arrestoi sot 49-vjeçarin, Elidon Kotorri, pasi kundërshtoi me forcë një punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës. Kotorri është një emër i njohur në botën e krimit, i dënuar për tre vrasje dhe plagosje.

Ai u arrestua pasi kishte kundërshtuar punonjësit e policisë që shkuan për ta shoqëruar në komisariat. Ngjarja ndodhi pas një konflikti me një person tjetër, dhe ai nuk iu bind urdhrit të policisë.

Kotorri ishte një personazh i njohur që nga fundi i viteve ’90, kur u dënua me 25 vite burg për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një tjetër. Vrasja ndodhi për hakmarrje pas vrasjes së shokut të tij, Elton Zajmi, në vitin 1998.

Ai gjithashtu ka qenë nën hetim nga Policia e Tiranës për vendosjen e kamerave të sigurisë në mënyrë të paligjshme. Në vitin 2023, ky operacion u shtri në disa qytete të Shqipërisë. Kotorri është gjithashtu subjekt i OFL-së, pasi i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë.