Historia e ish-kryebashkiakut më të ‘varfër’ në Shqipëri që sot ushqehet nga fondacionet

Një derë e vjetër druri, e mbuluar me rrushin e pjekur që nuk e mbledh askush, është hyrja e një shtëpie gjysmë të rrënuar, ku brenda saj jeton ish-kryebashkiaku i Korçës. Robert Kotmillo, drejtoi bashkinë e qytetit nga viti 1996 deri në vitin 2000. Duke folur për Euronews Albania, Kotmillo ka treguar për karrierën e tij, e cila edhe pse e pasur, Robertit nuk i la asgjë pas.

“Unë punova 29 vite si kryeinxhinier i ndërmarrjes së frigoriferëve në Korçë, bëra shumë për qytetin edhe për vendin. Pastaj kryetar i këshillit të bashkisë dhe 4 vjet kryetar bashkie,” thotë ish-kryebashkiaku.

Kryesisht në Shqipëri kush ka drejtuar në poste të larta, ka vënë edhe pasuri mënjanë në forma të ndryshme. Por fisnikëria dhe ndërshmëria janë virtyte që pak njerëz i gëzojnë në shoqërinë tonë. I tillë mesa duket paska qenë edhe ish-kryebashkiaku i Korcës. Ai sot ushqimin e siguron nga një fonadacion në Korcë. Berti, siç e njohin korçarët ndjek aktualitetin shqiptar madje ai thotë se ndien turp kur dëgjon se kryebashkiakët e sotëm burgosen për vjedhje.

“Më vjen keq që thonë, 6 kryetare bashkie në burg. 4 ministra. E rëndë që persona të tillë që burgosen të jenë në krye të bashkive apo drejtimit të vendit. Shumë e rëndë”, tha ish-kryebashkiaku i Korcës.

Njeriu që nuk përfitoi kurrë të mira materiale por respekt e dinjitet, ka një mesazh për drejtuesit e sotëm të vendit.

“Qoftë se pranojnë të zgjidhen në pozita drejtuese të shtetit, duhet tu thonë vetes për të bllokuar çdo pasion për pasuri, çdo tendencë për tu pasuruar, ndryshe nuk mund të drejtojnë. Sepse me pas ndodh ajo që ndodh, korrupsioni, pastaj burgosen. E papranueshme që drejtuesit të kenë ambicie të tilla personale, nuk duhet të kenë ndjenja të tilla”, theksoi Kotmillo.