Në vdekje klinike! E futën në operacionin për dhurim organesh, por burri zgjohet në sallë

Një burrë, i cili kishte kaluar në arrest kardiak dhe kishte pësuar vdekje klinike, ishte zgjuar derisa kirurgët në Kentucky ishin në sallën e operacionit gati për t’ia hequr organet që do të dhuroheshin më pas. Rasti i Anthony Thomas “TJ” Hoover po hetohet tani nga autoritetet.

Motra e Hooverit, Donna Rhorer, ka treguar se ai ishte dërguar në spitalin në Richmond në tetor 2021 për shkak të mbidozës me drogë. Mjekët më pas u thanë familjarëve se ai nuk kishte reflekse apo aktivitet truri dhe se duhet të vendosnin ta hiqnin nga pajisjet që e mbanin në jetë, shkroi Guardian.

Stafi i spitalit më pas thuhet se u tha familjarëve se Hoover kishte dhënë leje që organet e tij të dhuroheshin në rast vdekjeje.

Për të nderuar dëshirën e tij, spitali bëri testimet se cilat organe ishin të përshtatshme për dhurim dhe organizuar edhe një ceremoni nderimi për të.

Rhorer ka thënë se ka vërejtur se sytë e Hooverit ishin hapur dhe dukej sikur ndiqte lëvizjen e familjarëve të tij.

“Na u tha se janë vetëm reflekse – thjesht normale. Kush jemi ne të vëmë në pyetje sistemin mjekësor?”

Rreth një orë pasi Hooveri ishte futur në sallën e operimit që t’i largoheshin organet, një mjek doli jashtë dhe shpjegoi se Hooveri “nuk ishte gati”.

Rhorer kujtoi se i ishin dhënë udhëzime që vëllain ta çonte në shtëpi dhe të kujdesej për të, edhe pse ai nuk do të jetonte gjatë. Ndërkohë, ajo thotë se po kujdeset për Hooverin tash tri vitet e fundit.

Por, ajo mësoi detajet nga brenda sallës vetëm në janar kur një ish-punonjës e kontaktoi para se ta dërgonte një letër në Kongres te komiteti që do të shqyrtonte çështjen e dhurimit të organeve.

Autori i letrës shkroi se e pa Hooveri “përpëlitej” në tavolinën e operacionit si dhe filloi “qartazi të qante”.

“Ai bëri përpjekje për të thënë: ‘Jam këtu’, por u injorua. Ata ndaluan procedurën sepse ai po shfaqte shumë shenja jete”, ka thënë Rhorer, motra e tij./Koha.net