Rregulla të reja për blerjen e objekteve pa leje të konfiskuara

Qeveria ka përcaktuar rregullat e detajuara për shitjen me të drejtë parablerjeje të objekteve pa leje të konfiskuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Referuar vendimit i cili është botuar në Fletoren Zyrtare, procedura e shitjes së objekteve të konfiskuara fillon pas miratimit nga Komisioni i Objekteve të Konfiskuara të programit të shitjes, i cili, së bashku me dokumentacionin shoqërues, përcillet pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës.

Vlera e objektit përcaktohet me ekspertë vlerësues të licencuar të pasurisë së paluajtshme, të caktuar nga ministri përgjegjës për administrimin e pronës shtetërore në urdhrin e vlerësimit të objektit të konfiskuar.

Brenda një afati 30 ditor, ekspertët vlerësues, hartojnë raportin përfundimtar të vlerësimit, i cili përmban vlerën minimale të shitjes, dhe ia përcjellin ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore. Shitja e objekteve të konfiskuara fillimisht u ofrohet subjekteve, që kanë të drejtën e parablerjes, pronari i truallit ose personat e tretë. Nëse subjektet nuk shprehin interes, të drejtën e parablerjes e ka zhvilluesi/ndërtuesi.

Struktura përgjegjëse për shitjen e pronës pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore njofton me shkrim, për të drejtën e parablerjes, subjektet në lidhje me ushtrimin e kësaj të drejte. Në rastin e pronarit të truallit dhe të personave të tretë, e drejta e parablerjes realizohet sipas marrëveshjes juridiko-civile të hartuar para noterit, të regjistruar në regjistrat përkatës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përpara datës së konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit, të vërtetuar me faturë të bankave të nivelit të dytë.

Nëse personat e tretë nuk shfaqin interes për parablerjen, ata kompensohen për vlerën e paguar.Kompensimi paguhet nga fondi i veçantë i objekteve të konfiskuara.

Pagesa e vlerës së objektit kryhet brenda 30 ditëve nga konfirmimi me shkrim për ushtrimin e së drejtës së parablerjes, në të kundërt subjekti humbet të drejtën e blerjes së objektit të konfiskuar. Në rast se pronarët e truallit, personat e tretë apo zhvilluesi/ndërtuesi nuk ushtron të drejtën e parablerjes, shitja e objekteve të konfiskuara në tejkalim të lejes së ndërtimit do të kryhet në zbatim të kuadrit ligjor për ankandin publik.

Kontrata e kalimit të pronësisë nënshkruhet para noterit, ku për pronarët e truallit dhe personat e tretë, nënshkruhet kontratë për transferimin e të drejtave dhe të detyrimeve; për zhvilluesin/ndërtuesin dhe ndaj blerësve sipas procedurës së ankandit, nënshkruhet kontratë e shitjes.