‘Më vuri armën në gjoks’! Policia përgënjeshtron deputetin: Nuk ka pasur armë zjarri! Video

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimin e opozitës se një efektiv i ndërhyrjes së shpejtë i nxori armën deputetit të PD-së, Luan Baçi.

Në një reagim për mediat pas incidentit të dhunshëm në oborrin e Parlamentit, policia bën të ditur se asnjë efektiv nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri.

Sipas Policisë së Shtetit, asnjë prej punonjësve nuk i ka treguar armën e zjarrit protestuesve.

Në një video të postuar në rrjetet sociale të deputetes Elda Hoti, gjatë një përplasjeje me deputetët Luan Baçi dhe Flamur Noka, duket një efektiv i policisë që vendos dorën në brez.

Deputeti Baçi akuzoi se polici i kishte vendosur pistoletën në gjoks, diçka që nuk duket nga pamjet.

‘Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë. Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.

Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.

Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private. Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori,, njofton policia.