Kondrabanda e botox-it, shpallet në kërkim Skerdi Faria

Skerdi Faria është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si pjesë e një operacioni të madh kundër kontrabandës së botoksit në qendrat estetike në Shqipëri. Faria, i cili është i njohur si mjeku i shumë “VIP”-ave, është një nga tre personat e shpallur në kërkim nga autoritetet.

Operacioni ka çuar deri më tani në bastisjen e 30 qendrave estetike dhe parukerive, ku janë sekuestruar sasi të mëdha të botoksit të kontrabanduar, shpesh i përdorur pa licencë të rregullt.

Midis të arrestuarve janë Mildon Kumaraku, administratori i kompanisë që kontrabandonte dhe furnizonte klinikat me produktet e jashtëligjshme, si dhe Xhuljana Mahmuti dhe Deisa Shehaj, administratoret e dy klinikave estetike që përdornin botoksin e kontrabanduar.

Sipas Policisë së Shtetit, procedime në gjendje të lirë kanë nisur edhe për disa persona të tjerë, ndërsa Faria dhe dy të tjerë, administratorët K. B. dhe A. F. B., janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Skerdi Faria ndodhet brenda vendit apo jashtë, ndërsa ai nuk ka bërë ende asnjë reagim publik.