Dhunimi i Klea Prengës, vetëdorëzohen në polici motrat Antonela dhe Mariela Berisha

Dy motrat, Antonela dhe Mariela Berisha, janë vetëdorëzuar në policinë e Tiranës pas dy muajsh në kërkim për rrahjen e Klea Prengës.

Ngjarja ndodhi më 6 gusht 2024, kur Klea, e cila ishte duke darkuar në një restorant, dyshohet se u sulmua nga motrat Berisha.

Atëherë policia tha se e reja u godit me sende të forta, përfshirë shishe qelqi, duke iu shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë.

Autoritetet fillimisht dyshuan se motrat mund të kishin braktisur Shqipërinë për në Dubai.

Tani ato akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, dhe rrezikojnë një dënim deri në 10 vjet burg.

Prokuroria ka nisur hetimet për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

Çfarë njoftoi sonte policia e Tiranës:

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:

Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë.