Draft-strategjia e turizmit ndan Shqipërinë në 6 klastera. Ja çfarë parashikohet për çdo zonë?

TIRANA- Draft strategjia e turizmit 2024-2030 ndan vendin në të paktën 6 klastera turistikë duke grupuar disa rajone sipas karakteristikave të përbashkëta duke synuar që në vijim të zhvillohen një sërë produktesh, aktivitetesh, eksperiencash, atraksionesh dhe infrastrukturash turistike të krahasueshme ose të ngjashme.

Konkretisht këto klastera janë : 1.Klasteri i bregdetit të Adriatikut 2. Klasteri verior i brendshëm 3. Klasteri i qytetit të Tiranës 4. Klasteri qendror 5. Klasteri i bregdetit të Jonit 6. Klasteri jugor i brendshëm.

Për secilën nga këto klastera dokumenti ka nxjerrë produktet turistike parësore dhe dytësore, burimet dhe atraksionet kyçe, si dhe përvojat kryesore të disponueshme për turistët.

Klasteri i bregdetit të Adriatikut

“Klasteri i bregdetit të Adriatikut në Shqipëri është një zonë turistike e përvijuar në mënyrë të mirëmenduar që paraqet shumëllojshmërinë e pasur dhe bukurinë e zonave bregdetare veriore dhe qendrore të Shqipërisë përgjatë detit Adriatik.

Ky klaster përfshin të gjithë zonën e bregdetit verior të Shqipërisë dhe shtrihet nga kufiri i vendit me Malin e Zi në veri, deri në grykëderdhjen e lumit Vjosa në pjesën qendrore të vendit. Ai përfshin zonat bregdetare të disa qarqeve: Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës dhe Fier.

Ky klaster ofron një qasje turistike shumëdimensionale, duke kombinuar pushimet tradicionale në plazh me përvojat kulturore, historike dhe ato në natyrë. Klasteri i bregdetit të Adriatikut ofron mundësinë e një eksplorimi më të thellë të peizazheve dhe trashëgimisë së larmishme të Shqipërisë, duke tërhequr një spektër më të gjerë vizitorësh “ thuhet në strategji.

Klasteri verior i brendshëm

“Klasteri verior i brendshëm i turizmit ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë dhe përfshin qarqet e Kukësit dhe Dibrës në tërësinë e tyre, së bashku me zonat e brendshme të qarkut të Shkodrës. Ky rajon shquhet për peizazhet e tij natyrore dhe terrenin e thyer, duke ofruar një alternativë të qetë krahasuar me destinacionet më të frekuentuara bregdetare.

Zona përmban një kombinim të maleve të larta, luginave të qeta dhe pyjeve të dendura, duke u ofruar vizitorëve një gamë të gjerë aktivitetesh si për aventura ashtu edhe për relaksim. Gjeografia e këtij klasteri është e larmishme, e karakterizuar nga Alpet Shqiptare në veri, liqeni i Shkodrës dhe malësitë piktoreske të qarqeve të Kukësit dhe Dibrës. Një larmi e tillë peizazhesh jo vetëm që përmbush kërkesat e të apasionuarve pas aventurave në natyrë, por gjithashtu shfaq trashëgiminë autentike rurale dhe kulturore të Shqipërisë”.

Klasteri i qytetit të Tiranës

“Vendimi për ta përcaktuar Tiranën dhe hapësirën e saj metropolitane si një klaster të veçantë të turizmit është bazuar në kombinimin unik të gjallërisë urbane, trashëgimisë së pasur historike dhe peizazheve natyrore të aksesueshme të qytetit. Kjo qasje e shumanshme synon ta pozicionojë Tiranën jo vetëm si kryeqytetin e Shqipërisë, por edhe si një destinacion të pavarur pushimi në qytet që përmbush një gamë të gjerë interesash dhe përvojash.

Koncepti i Tiranës si një klaster apo destinacion pushimi në qytet përqendrohet në idenë e ofrimit të një eksperience kompakte, por të larmishme, që kombinon avantazhet e turizmit urban me eksplorimin e trashëgimisë dhe aventurat në natyrë”

“Klasteri qendror i turizmit në Shqipëri, i cili përfshin qarkun e Elbasanit dhe rajonet e brendshme rurale të qarkut të Tiranës, me përjashtim të qytetit të Tiranës, dallohet nga shumëllojshmëria e veçorive gjeografike që përbëjnë bazën e ofertës së tij turistike. Ky klaster është i njohur kryesisht për produktet e tij të ndryshme turistike, ku përfshihen natyra, kultura, agroturizmi, gastronomia dhe alternativat e pushimeve aktive.

Përvojat kryesore në këtë klaster plotësojnë një gamë të gjerë interesash, nga aktivitetet e aventurës në natyrë, si ecja në natyrë, trekking, eksplorimi i kanioneve, rafting dhe hedhje me parashutë, e deri te marrja e njohurive kulturore përmes vizitave në vendet historike, muzetë, ekskursionet kulinare dhe pjesëmarrja në festivale dhe evente kulturore.

Përveç kësaj, klasteri ofron një tablo unike të jetës rurale dhe u mundëson vizitorëve të qëndrojnë në bujtinat rurale, si dhe të angazhohen në kurset e gatimit tradicional dhe veprimtaritë bujqësore, duke pasuruar përvojën e tyre të udhëtimit me vizita edukative, shëtitje në natyrë dhe degustime të prodhimeve vendase si vera dhe vaji i ullirit”.

Klasteri i bregdetit të Jonit

“Klasteri i bregdetit të Jonit përfshin të gjithë qarkun e Vlorës (zonat bregdetare dhe ato në brendësi të territorit) dhe është përcaktuar në veçanti për shkak të eksperiencave dhe produkteve turistike të njëtrajtshme që ofron në të gjithë zonën e tij. Kryesisht, ky klaster karakterizohet nga turizmi i diellit dhe plazhit dhe koha e kaluar në plazhet e ndryshme përbën aktivitetin kryesor për vizitorët.

Klasteri nuk është i famshëm vetëm për plazhet e tij të bukura, por ofron gjithashtu një përvojë të fortë kulturore dhe gastronomike, duke u dhënë vizitorëve një mundësi për të kuptuar traditat lokale dhe për të shijuar kuzhinën vendase. Për më tepër, qarku i Vlorës është fantastik për vizitorët e interesuar për natyrën dhe aktivitetet në natyrë, pasi ofron shumë mundësi për të eksploruar pamjet piktoreske dhe për t’u përfshirë në aventura të ndryshme në natyrë larg plazhit.

Klasteri jugor i brendshëm

“Klasteri jugor i brendshëm, i cili përfshin qarqet e Beratit, Gjirokastrës dhe Korçës, është përcaktuar në mënyrë strategjike bazuar në përvojat e përbashkëta që ofrojnë këto qarqe. Përcaktimi i kufijve të këtij klasteri është bazuar në trashëgiminë e pasur kulturore dhe bukurinë natyrore të zonës.

Klasteri është një qendër për organizimin e vizitave të trashëgimisë kulturore, pasi në territorin e tij ndodhen një sërë sitesh që janë pjesë e listës së UNESCO-s, kala, xhami, kisha bizantine, pazare, shtëpi të stilit osman dhe muze, të cilat shoqërohen me një kalendar ngjarjesh kulturore. Për më tepër, ai shërben si një qendër për eksplorimin e natyrës dhe aventurat në natyrë, me peizazhe të larmishme që ofrojnë mundësi për rafting, ecje në natyrë dhe eksplorim të fshatrave tradicionale.

Klasteri promovon gjithashtu turizmin eno-gastronomik falë vreshtarive të zonës, traditave të kuzhinës vendase, degustimit të verërave dhe kurseve të gatimit, me theks të veçantë te prodhimet dhe kuzhina vendas”./ Monitor