Pedagogia në emigracion, e ëma pensioniste merr në provim studentët

Kjo është një tjetër perlë e universiteteve tona: një pedagoge që ndodhet në emigracion, e megjithatë arrin të “shfaqet” në provime… përmes së ëmës!

Sipas denoncimeve nga brenda stafit akademik, studentët nuk kanë parë kurrë pedagogen në fjalë, por në vend të saj, në provim i pret në bankë e ëma, një ish-mësuese në pension. Me sa duket, në Durrës kemi ngritur një model të ri menaxhimi: “arsim në distancë”, por jo për studentët, për pedagogët!

Në një vend ku shitja e diplomave, marrja e notave përmes njohjeve dhe mbrojtja e tezave pa hapur libër janë kthyer në sport kombëtar, një skandal i tillë është vetëm qershia mbi tortë. Kjo shfaqje groteske nuk është thjesht një shkelje etike, por një hap drejt shpikjes së një modeli unik: “trashëgimi i pedagogjisë”, ku brezi i vjetër mban gjallë punët akademike të fëmijëve të tyre, përderisa ata ndjekin ëndrrat në botën e jashtme.

E ndërsa universitetet tona rreshtohen diku në fund të listave botërore, askush nuk shqetësohet më për integritetin e diplomave. Me ato paratë e qirave marramendëse që universitetet paguajnë për godina private, do të kishim ndërtuar prej kohësh laboratorë modernë, por kush ka kohë për shkencë kur jemi të zënë duke menaxhuar skandale? Në fund të fundit, a nuk është edhe kjo një formë “kreativiteti” që meriton vend në Guinness?

E vetmja pyetje që mbetet është: Kush tjetër mund të thërrasim për provime vitin tjetër? Ndoshta tezet, dajallarët apo ndonjë kushëri i largët? Në këtë ritëm, arsimi ynë ka të gjitha shanset të shpikë kategori të reja për Guinness-in.