“Frenoi aq fort, sa u ça asfalti”, aksidenti me autobot ku humbi jetën 25 vjeçari, arrestohet traktoristi

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Lushnje-Berat, ku një autobot u përplas me një traktor. Si pasojë, 25-vjeçari Petro Piti, shoferi i autobotit, humbi jetën. Ai mbeti i bllokuar në mjetin e mbushur me naftë për rreth një orë, por nuk i mbijetoi plagëve. Traktori nuk kishte sinjalistikë ndriçuese dhe drejtuesi i tij u hodh nga mjeti për t’u shpëtuar përplasjes.

Dëshmitarët tregojnë se viktima frenoi me forcë, duke shkaktuar një çarje të madhe në asfalt, por nuk mundi të shmangte përplasjen. Autoboti doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në tokat bujqësore, duke shkatërruar edhe 100 metra karrexhatë metalike anësore. Pavarësisht përpjekjeve të policisë, zjarrfikësve dhe banorëve të zonës për ta shpëtuar, 25-vjeçari ishte pa shenja jete kur u fut në ambulancë.

Policia arrestoi drejtuesin e traktorit, 41-vjeçarin A.T., i cili rezultoi i pastër në testin e alkoolit. Autoritetet theksojnë se aksi Lushnje-Berat është një zonë e rrezikshme për aksidente për shkak të mungesës së ndriçimit, çka mund të ketë kontribuar në këtë tragjedi.