Shpenzoi $500, fitoi $1.2 milionë Burri fatlum bëhet milioner nga blerja e një njësie magazinimi

Kush nuk do të dëshironte të fitonte më shumë para, apo të bëhej milioner brenda natës? Imagjinoni sikur të zbulonit një kasafortë të harruar në fund të dollapit, e cila mund t’ju sjellte miliona para.

Por për një person fatlum ishte blerja e një njësie magazinimi që i ndryshoi plotësisht jetën.

Sipas Dan Dotson, një nga yjet e serialit “Storage Wars” dhe ankandist, një klient bleu një njësi magazinimi të braktisur në ankand për vetëm 500 dollarë. Çdo njësi magazinimi që nuk është paguar për tre muaj rrjesht, lejohet të dalë në ankand, një fakt i njohur ky nga fansat e serialit.

Në këtë shfaqje, njerëzit blejnë njësi magazinimi të rastësishme me shpresën se do të gjejnë diçka të vlefshme brenda.

Pasi hapi njësinë e tij të re, burri fatlum zbuloi një kasafortë brenda saj, e cila përmbante plot 7.5 milionë dollarë. Ngjarjen e pabesueshme, Dan Dotson e ndau në një video në YouTube.

Megjithatë, blerësi i njësisë së magazinimit nuk arriti të mbante gjithë shumën për një arsye të pazakontë.

Në videon tre-minutëshe, Dan tregon sesi një grua e takoi në një event dhe i tha se një mik i familjes së saj kishte blerë një njësi magazinimi në ankandin që ai kishte organizuar. Të gjithë u habitën kur mësuan për grumbullin e parave që gjendej brenda.

Pronari i ri i njësisë mori një telefonatë të papritur nga avokati i pronarit të mëparshëm. Ata i ofruan burrit 600,000 dollarë për të kthyer njësinë dhe paratë, por më pas e rritën ofertën në 1.2 milionë dollarë.

Në fund, pronarët e rinj vendosën ta kthejnë njësinë dhe paratë, duke fituar një profit prej 1,199,500 dollarë. Jo keq, apo jo?

Dan mendon se vendimi për të kthyer paratë ishte i duhuri, pasi nuk dihej nga vinte kjo shumë e madhe.