PISA – Dy të shtëna në kokë dhe tre në trup. Shqiptari Beni Arshiaj u ekzekutua mbrëmjen e 6 tetorit në Itali. Dyshohet se autori ishte fshehur në oborrin e pasmë të shtëpisë në Oratoio ku jetonte 37-vjeçari me gruan dhe dy fëmijët e tij.
Autori iu afrua xhamit të shoferit dhe qëlloi. Arshiaj nuk pati kohë të reagonte. Policia po përpiqet që të rindërtojë dinamikën e ngjarjes dhe të identifikojë autorin.
Hipotezat e hetimit
Pistat janë më të ndryshmet. Vrasja mund të jetë e lidhur me drogën apo prostitucionin. Por mediat italiane shkruajnë gjithashtu edhe për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Vrasja mund të lidhet me hakmarrjen për shkak të grindjeve që viktima ka pasur në Shqipëri. Për këtë arsye, e shkuara e familjarëve do të shqyrtohet nga hetuesit.
Të afërmit thonë se Arshiaj ishte një njeri shumë i mirë, se ishte punëtor dhe se nuk kishte probleme me askënd.
Në arkivat e policisë nuk rezulton asnjë krim i kryer, as nga viktima dhe as nga familja e tij.
Mësohet se policia italiane po bashkëpunon edhe me kolegët shqiptarë.
Kamerat e sigurisë
Përballë hyrjes së shtëpisë së 37-vjeçarit ndodhet një godinë me kamera të vendosur në katin përdhes. Ajo është kamera e vetme në zonë. Megjithatë duket se nuk do t’i ndihmojë hetuesit, pasi kamerat nuk kanë regjistruar nga e shtuna në mbrëmje deri në orën 22:00 të së dielës.
Ky është një tjetër mister që policia po heton.
Kamera rifilloi të regjistronte një orë ps të shtënave. Nëse ka qenë sabotim për përdorim nga vrasësi, do të duhet të sqarohet nga hetimet.
Gruaja e Benit
Gruaja nuk donte të fliste me gazetarët. Pesha që ka mbi supe që nga mbrëmja e së dielës është shumë e madhe.
Ditën e ngjarjes ajo ishte me Benin duke ngrënë në një restorant së bashku me fëmijët. Më pas u kthyen në shtëpi, ndërsa Beni shkoi të lante furgonin.
Bashkëshortja po priste që të kthehej për të ngrënë darkën. Më pas u dëgjuan të shtënat.
“Ajo ishte pak e frikësuar, thotë Florat Vershaj, shok i viktimës, por nuk doli.”
Pastaj një fqinj trokiti në derë dhe, në atë moment, ajo pa burrin e saj të vdekur në sediljen e përparme të furgonit.
Një skenë e cila u dëshmua edhe nga i biri mes britmave dhe të qarave të dëshpëruara të nënës së tij. Por pa mundur të zgjasë dorën për të prekur prindin për herë të fundit