Ish-berberi që u bë miliarder, Mitro Todhe, i njohur si spiun, ka fituar rreth 1600 tendera korruptive

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj, një grup zyrtarësh punon për manipulimin e tenderave korruptivë, me qëllim kalimin e parave publike në xhepat e tyre. Ky grup drejtohet nga Mitro Todhe, ish-berber nga Tepelena, që ka një histori të gjatë si kontrabandist ilaçesh dhe dyshohet si spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. Todhe ka filluar karrierën e tij si berber dhe kamerier, por sot ai është bërë oligark i tenderave në shëndetësi, duke fituar 1600 tendera me flamur korrupsioni.

Kompania e tij, “Florfarma”, e cila u themelua në vitin 1999 si “Biomedic”, ka kaluar në emrin e fëmijëve të tij që në vitin 2010.

Pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, kompania e Todhes ka filluar të rrisë xhiron e saj, duke arritur kulmin vitet e fundit, për shkak të skemave klienteliste dhe korrupsionit në shëndetësi. Gjatë pesë viteve të fundit, “Florfarma” ka marrë rreth 1600 tendera me vlerë disa milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj, të cilat janë shënuar për mungesë konkurrencë dhe ofertat e dyshimta.

Në verifikimet e fundit, rezulton se Todhe ka marrë rreth 400 tendera nga Ministria e Shëndetësisë, sidomos gjatë kohës që Ogerta Manastirliu drejtonte ministrinë. Po ashtu, “Florfarma” ka marrë tendera nga QSUT, Spitali i Traumës, Spitali i Fierit dhe Spitali i Elbasanit. Ndërkohë, fëmijët e Todhes po shijojnë një jetë luksoze me paratë publike. Në vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë i besoi kompanisë “Florfarma” luftën kundër mushkonjave në disa zona bregdetare. Tenderat u zhvilluan nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, nën drejtimin e Endri Mullait, një personazh i njohur për afera korruptive.

Instituti i Shëndetit Publik, i cili është nën hetim nga SPAK, nuk arriti të realizonte tenderat për mushkonjat, dhe kështu Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ndërhyri. Më parë, tenderat për mushkonjat i janë dhënë kompanisë NRG, por Mitro Todhe ia doli të nxjerrë jashtë loje konkurrentët e tij, duke fituar tri nga katër tenderat për luftën kundër mushkonjave, me vlera që kalojnë 300 mijë euro. Në këtë mënyrë, ai ka arritur të konsolidojë pozitat e tij në tregun farmaceutik, duke shfrytëzuar skemat korruptive dhe influencën e tij në qeverisje.