Intriga gjyqtarësh me vetting/ Si i pagoi shteti 1.5 mln euro për “byzylykët” e të burgosurve që nuk funksionuan kurrë

Dy gjyqtarë në Gjykatën e Lartë kanë marrë një vendim për të detyruar ministrinë e Drejtësisë të paguajë 1.5 milionë euro dhe miliona lekë të tjerë kamatvonesë për tre kompanitë, të cilat fituan tenderin famëkeq të byzylykëve për mbikqyrjen e të dënuarve në vitin 2017.

Arbena Ahmeti dhe Sokol Ngresi kanë vendosur se pavarësisht mosfunksionimit të byzylëkeve, shteti duhet të paguajë paratë për bashkimin e kompanive Fastech, Ratech dhe Soft & Solution.

Intriga gjyqtarësh me vetting/ Si i pagoi shteti 1.5 mln euro për

Por Asim Vokshi, gjyqtari i tretë nuk ka qenë dakord me këtë vendim. Në mendimim e pakicës Vokshi shkruan se këto tre kompani jo vetëm kanë përbërë mospërmbushje thelbësore kontraktore, por janë bërë shkak edhe për cenimin e interesit publik, në funksion të ruajtjes së sigurisë publike.

“Shërbimi i Provës dhe Drejtoria e Mbikëqyrjes Elektronike, duke u gjendur përpara vështirësive dhe defekteve që kishin filluar me zbatimin e kontratës së re, të cilën e përmenda, u morën edhe një sërë masash të tjera, duke njoftuar drejtoritë rajonale të Policisë së Shtetit për marrjen në mbikëqyrje të të gjithë subjekteve si pasojë e këtyre problemeve teknike të shfaqura. Aktualisht në këtë moment Shërbimi i Provës vazhdon në mënyrë periodike të njoftojë gjykatat për pamundësinë e aplikimit të mbikëqyrjes elektronike,” shkruan Vokshi.

Kontrata
Në shkurt të vitit 2017, Ministria e Drejtësisë shpalli fituesi në tender dhe nënshkroi kontratën me objekt: “Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale” me bashkimin e tre kompanive, Fastech, Ratech dhe Soft & Solution. Fastech zotërohet nga Andis Papa, Ratech nga Laert Kasaj, ndërsa Soft & Solution zotërohet nga biznesmeni Ermal Beqiri.

Intriga gjyqtarësh me vetting/ Si i pagoi shteti 1.5 mln euro për

Kompanitë private duhet të furnizonin 300 byzylykë për mbikqyrjen e të dënuarve me shërbim prove dhe duhet ta mirëmbanin këtë sistem për 4 vjet në këmbim të shumës 150 milionë lekë ose 1.5 milionë euro.

Intriga gjyqtarësh me vetting/ Si i pagoi shteti 1.5 mln euro për

Por pas dorëzimit të byzylykëve shumë prej tyre kanë rezultuar problematikë dhe nuk funksiononin. Kjo e detyroi Shërbimin e Provës që t’i kërkonte Policisë së Shtetit të merrte në mbikqyrje të dënuarit pasi byzylykët elektronikë nuk punonin.

Pas këtyre problemeve, ish ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi kallëzoi në prokurori sekretaren e përgjithshme të ministrisë së Drejtësisë, Juljana Hoxha si kryetare e KVO-së. Deri në atë kohë ministria e drejtësisë kishte paguar gjysmën e shumës për kompanitë private ose rreth 75 milionë lekë.

Betejë në gjykata
Pas këësaj përplasje të dyja palët shkuan në gjykatë me padi dhe kundërpadi. Kompanitë private kërkonin që ministria e Drejtësisë t’u paguante gjysmën e mbetur të shumës, ndërsa kjo e fundit dhe avokati i shtetit kërkuan që kompanitë të kthenin mbrapsht paratë që kishin marrë për shkak se nuk kishin përmbushur në mënyrë thelbësore kontratën.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i dha të drejtë qeverisë. Sipas saj, kompanitë kishin cënuar rëndë kontratën duke i shkaktuar shtetit një dëm në masën 1.5 milionë euro dhe duke cënuar sigurinë publike. Për këtë gjykata vendosi që këto kompani të kthenin mbrapsht të gjitha paratë që kishin marrë nga ministria e Drejtësisë deri në atë moment, pra rreth 75 milionë lekë.

 

Por pas këtij vendimi kompanitë shkuan në Apel. Cuditërisht Gjykata Administrative e Apelit e përmbysi vendimin e shkallës së parë duke vendosur të kundërtën. Sipas Apelit, fajin për dështimin e kontratës e kishte shtetit, ndaj qeveria duhet të paguante shumën e mbetur të parave për kompanitë dhe madje edhe miliona lekë të tjera interesa.

Arbena dhe Sokoli
Menjëherë pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë iu drejtuan Gjykatës së Lartë duke kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit.

Në padi avokatura e shtetit shprehej se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte totalisht i paligjshëm me shkelje të rënda dhe në cënim të procesit të rregullt gjyqësor.

“Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë, ka disponuar në “Dhomë Këshillimi” me ndryshim të Vendimit nr. 2224 datë 06.10.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke marrë një vendim në cenim të procesit të rregullt ligjor, pa njoftuar paraprakisht për datën dhe orën e shqyrtimit të çështjes palën e paditur/ kundër-paditëse dhe as Avokaturën e Shtetit. Disponimi në “Dhomë Këshillimi” nga Gjykata e Apelit Administrativ, pa shpallur më parë datën e seancës për shqyrtimin e çështjes objekt gjykimi, as në faqen zyrtare dhe as në listën e çështjeve të afishuara në ambientet e gjykatës, duke mos dhënë të drejtë palës së paditur kundër-paditëse që të paraqesë parashtrime me shkrim lidhur ankimin e palës së paditur, vjen në shkelje të parimit të kontradiktoritetit në gjykim, cenon procesin e rregullt ligjor dhe përbën shkak për prishjen e vendimit të mësipërm,” thuhej në padinë e Avokatit të Shtetit dhe ministrisë së Drejtësisë.

Por dy gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Arbena Ahmeti dhe Sokol Ngresi i kanë hedhur poshtë pretendimet e Avokatit të Shtetit. Ata kanë lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit duke vendosur të detyrojnë shtetin që të paguajë të gjithë shumën e mbetur të kontratës, përfshirë miliona lekë shtesë për kamatvonesat.

Intriga gjyqtarësh me vetting/ Si i pagoi shteti 1.5 mln euro për

Arbena Ahmeti, Gjyqtare ne Gjykaten e Larte

Si përfundim, taksapaguesit shqiptarë paguan deri në qindarkën e fundit 1.5 milionë euro për tre kompanitë, të cilat dorëzuan 300 byzylykë që nuk punuan asnjëherë duke e detyruar policinë e shtetit t’i mbikqyrë fizikisht të dënuarit me shërbim prove.

“Nga aktet pjesë e dosjes gjyqësore, rezulton se me datë 08.08.2017, Drejtoria e Mbikëqyrjes Elektronike pranë Drejtorisë së Shërbimit të Provës, ka njoftuar Drejtoritë Rajonale të Policisë së Shtetit, për marrjen nën mbikëqyrje të të gjithë subjekteve si pasojë e problemeve teknike të konstatuara në sistemin e ME, duke ndërhyrë kështu për mbajtjen e situatës nën kontroll, pasi ishte e pamundur të monitoroheshin me anë të pajisjeve. Për shkak të rëndësisë së situatës, me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, duke filluar nga data 10.08.2017, Drejtoria e Mbikëqyrjes Elektronike, ka njoftuar në rrugë elektronike edhe Gjykatat kombëtare, se numri i pajisjeve në dispozicion për realizimin e mbikëqyrjes elektronike është 0 (zero) njësi,” thuhet në dosjen e Gjykatës.