Policia e Shtetit: Janë plagosur 10 policë me molotov. Do i kapim sulmuesit!

Dhjetë efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur nga hedhja e bombave molotov gjatë protestës së sotme të opozitës.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit i ka bërë thirrje protestuesve të ndalojnë sulmet me mjete shpërthyese dhe thotë se të gjithë ata që janë përfshirë në këto sulme do të kapen dhe shoqërohen.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.

Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.

Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.