“Sot do të shoqëronte vajzën në universitet” – Gazetarja jep detaje për vetëvr*sjen e astrologut të njohur korçar

Astrologu i njohur, Jofiel Koço, i dha fund jetës sot duke u hedhur nga tarraca e katit të 7-të të një pallati në qytetin e Korçës. Jofiel Koço raportohet se ishte baba i dy fëmijëve, por jetonte i vetëm dhe dyshohet të ketë ndërmarrë aktin e rëndë mëngjesin e sotëm. Gazetarja Enxhi Kosturi dha detaje për këtë ngjarjeje të rëndë.

“Jofiel Koço është banor i qytetit të Korçës në lagjen 8, i divorcuar, baba i dy fëmijëve, i cili së fundmi punonte edhe me vajrat ushqimore”, tha gazetarja Enxhi Kosturi.

Sipas Kosturit, astrologu do të shoqëronte në ditën e parë të fakultetit njërën prej vajzave të tij. Gjithashtu ai kishte vënë në dijeni punëdhënësin se nuk do të paraqitej në punë.

“Ende policia është në kërkim cila ka qenë arsyeja pse ai është vetëvrarë sepse sot fillonte edhe Universiteti i Korçës dhe njërën nga vajzat do ta përcillte për në universitet për herë të parë, do të shkelte atë bankë, por e pati të pamundur këtë gjë.

Sipas informacioneve që kam marrë, atje ku punonte, ku bënte shpërndarjet e vajrave ushqimore, thuhet që ishte paralajmëruar pronari duke i thënë që “do të largohem dhe nuk do të jem pjesë e punës tënde sepse kam shumë punë” ndërkohë që kishte kryer këtë akt në orët e para të mëngjesit ku Korça sigurisht është tronditur për një moshë kaq të re dhe një person aq të pasionuar siç ishte Jofieli”, theksoi gazetarja.

Gazetarja konfirmon se policia ka deklaruar se akti është “vetëhedhje”, ndërsa janë përjashtuar faktorët shoqërues.

“Probleme social-ekonomike nuk ka pasur apo probleme me shëndetin mendor, ka qenë i kthjellët për aktin që ka kryer”, përmbylli Kosturi.