I kërkoi të ulte muzikën pasi 20 ditë më parë i kish vdekur e bija, detaje nga vrasja makabre në Sarandë. E pranishme edhe një grua që jetonte me autorin

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Gjashtë të Sarandës ku mbeti i vrarë Gëzim Bizgjoni 65 vjeç pasi u rrah për vdekje nga 42 vjeçari Admir Beqiri, me të cilin banonte në të njëjtën banesë.

Viktima Gëzim Bizgjoni është dërguar në Tiranë tek instituti i mjekësisë ligjore për ekspertizë.

Dëshmitarë të ngjarjes flasin se autori e goditur me shishe në fytyrë dhe më pas edhe me grushte dhe mjete rrethanore gjë që i ka shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.

Autori jetonte në shtëpinë e viktimës prej 1 viti së bashku edhe me një grua me të cilën bashkëjetonte. Kjo grua ka qenë edhe dëshmitare në ngjarje dhe pasi ka parë skenën është larguar nga shtëpia nga frika.

Shkak i konfliktit ka qenë se viktima i ka kërkuar autorit të ulte muzikën pasi atij vetëm 20 ditë më parë i kishte vdekur vajza e tij 29 vjeç nga një sëmundje e rëndë.