Një fëmijë dhe një grup emigrantësh kanë vdekur teksa po tentonin të kalonin Kanalin anglez. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau tha se fëmija që ka ndërruar jetë është shkelur për vdekje në një varkë.
“Disa njerëz vdiqën duke u përpjekur të kalonin Kanalin. Një fëmijë u shkel për vdekje në një varkë. Një tragjedi e tmerrshme që duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve për tragjedinë që po shpaloset. Kontrabandistët e njerëzve kanë gjakun e këtyre njerëzve në dorë dhe qeveria jonë do të intensifikojë luftën kundër këtyre mafiozëve që po pasurohen duke organizuar këto kalime të vdekjes”, tha ai në një postim në platformën e mediave sociale X.
Sipas gazetës lokale franceze, La Voix du Nord, të paktën katër emigrantë vdiqën, përfshirë dhe fëmijën e vogël.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi se një varkë me emigrantë që po shkonte drejt Britanisë bëri thirrje për ndihmë të shtunën në mëngjes dhe shpëtimtarët morën 14 persona në bord.
Një emigrant i plagosur në varkë u transportua me helikopter në një spital në Boulogne, Francë dhe pasagjerët e mbetur në varkë vazhduan udhëtimin e tyre, raporton BBC.