Vlora “noton” në ujë, situata në qytetin bregdetar pas përmbytjeve! Aksi shndërrohet në “liqen”, mjetet të fikura në mes të rrugës!

Situata në qytetin e Vlorës paraqitet problematike një ditë pas përmbytjeve që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.

Situata është më kritike në aksin rrugor “Albano dhe Romina”, e cila është kthyer në “liqen”, ndërsa automjetet “notojnë” në ujë.

Gazetari Enrik Mehmeti, raporton se niveli i ujit ka arritur deri në 1 metër, ndërsa makinat kanë mbetur të fikura në mes të rrugës.

Karroatrecët kanë hasur vështirësi për t’u futur në këtë aks rrugor dhe tërhequr automjetet e bllokuara në ujë.

Ekipet e emergjencave civile kanë punuar gjatë natës dhe vazhdojnë të angazhohen për lehtësimin e situatës.

Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa 55 persona janë evakuuar dhe po qëndrojnë në konviktet e qytetit, në pritje të normalizimit të kushteve në banesat e tyre.

Autoritetet lokale janë duke monitoruar situatën dhe planifikojnë masa të menjëhershme për të rikthyer normalitetin në këtë zonë të prekur nga reshjet e shiut.