DET I KUQ- Më shumë se 100 persona janë ende të zhdukur pasi kontrabandistët i detyruan emigrantët të braktisnin varkat e tyre dhe të notonin në Detin e Kuq në brigjet e Xhibutit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin deri më tani, 48 persona janë konfirmuar të vdekur.
Në incidentin e të hënës janë përfshirë dy varka që ishin nisur nga Jemeni për në Xhibuti me gjithsej 310 persona në bord. Të zhdukurit janë të paktën 108. Një mision kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në zonë nga autoritetet e Xhibutit. Ngjarja ka ndodhur 150 metra larg një plazhi në veriperëndim të vendit. Një varkë mbante 100 persona, nga të cilët 99 mbijetuan, ndërsa tjetra kishte 210 persona.
Nuk është e qartë pse trafikantët i detyruan pasagjerët të zbrisnin nga varkat. Ndoshta sepse rojet bregdetare i panë ose sepse donin të ktheheshin për të marrë më shumë njerëz. Rruga midis Bririt të Afrikës dhe Gadishullit Arabik është një nga rrugët më të ngarkuara të migrimit në botë. Çdo vit qindra mijëra njerëz, kryesisht etiopianë dhe somalezë, e përdorin atë për të arritur në vendet e Gjirit, kryesisht Arabinë Saudite.