Si u boshatis fshati me kullat e tij gjigante prej guri?

Fshati Llangë së bashku me Steblevën, Borovën, Moglicën, Prodanin, Sebishtin, Fush Studën dhe Zabzunin, janë tetë fshatrat e Njësisë Administrative të Steblevës në Bashkinë e Librazhdit që dikur numëronte rreth një mijë shtëpi, ndërsa sot aty kanë mbetur veçse pak më shumë se një qind të tilla dhe shumë pak banorë .

Kur kalon “Shkallën e Lunikut” në të majtë të rrugës kur ngjitesh drejt qendrës së Steblevës të shfaqet me një pamje piktoreske të natyrës Llanga dhe sytë të nguliten te arkitektura e rrallë e ndërtimeve që gjenden aty.

Llanga është e rrethuar nga masive pyjore e shkëmbore dhe poshtë saj pothuajse paralel me rrugën e re të asfaltuar kalon një përrua mbi të cilin gjenden ende 12 shtëpitë e saj karakteristike që aktualisht duken si relike e të shkuarës .Ato janë ndërtuar në shpatin shkëmbor të malit dhe janë kulla gjigande tre e katër katëshe prej guri.

Këto kulla sipas studiuesve datojnë në shekullin e XII-të dhe janë ndërtuar me mjeshtëri të rrallë me gurë e llaç dhe ambientet e brendshme të tyre ndriçohen nga dritare të vogla të tipit frëngji .Mënyra e ndërtimit, përmasat jashtëzakonisht të mëdha të këtyre kullave prej guri, madhështia dhe jetëgjatësia e tyre janë detaje mjaft interesante që mjerisht koha sot i ka injoruar.

Gjithsesi, gjithkush mahnitet kur sheh këto kulla, por edhe trishtohet kur nuk sheh as edhe një banor të vetëm aty dhe askënd që të kujdeset për to. Kullat e fshatit Llangë janë braktisur prej kohësh nga të gjithë dhe për to duket se nuk duan tja dinë më as ata ,që janë pasardhësit e atyre që kanë jetuar aty.Në Llangë ndër 12 kullat e mbetura ende në” këmbë”, shtatë prej tyre kanë të njënjtën formë e madhësi.

Teknika e ndërtimit të tyre me gur e llaç mbetet e pakonkurueshme dhe ka qenë e tillë që ka garantuar jetëgjatësi disa qindra vjeçare të këtyre kullave.Por edhe pse ato tashmë po mahnisin këdo që i sheh kur kalon aty, ende askush nuk po e kupton që ato janë thesare që vlejnë jashtëzakonisht .Të huajt e shumtë që vizitojnë zonën e Steblevë së Librazhdit ku bën pjesë edhe fshati i braktisur Llangë nuk e besojnë që për këto kulla thesar nuk kujdesen as ata që i kanë patur dhe as shteti.

Ndoshta është momenti i duhur që të zgjohen të gjithë për ti marrë dikush në administrim dhe për ti kthyer në destinacione të rëndësishme për turistët vendas e të huaj pasi ndërtime të këtij lloji dhe të këtyre përmasave janë të rralla e të pakta jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën.