U plagos nga shpërthimi me tritol në derën e apartamentit të motrave Nikolli, ndërron jetë pas tre muajsh i riu në Elbasan

26-vjeçari Enea Themollari, i cili u plagos nga shpërthimi i tritolit në banesën e motrave Nikolli në Elbasan, mësohet se ka ndërruar jetë në spital. Themollari që prej korrikut ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë ku po luftonte me vdekjen për shkak të plagëve që kishte marrë në kokë.

I riu mbeti aksidentalisht i plagosur nga shpërthimi i një sasie tritoli që u vendos në mesnatën e 14 korrikut në hyrjen e apartamentit të fqinjeve, dy motrat Nikolli që jetonin me qera në lagjen “Haxhias”.

Tritoli ishte vendosur në koridorin e katit të 4-t të pallatit në derën e hyrjes në pronësi të një 59 vjeçari, ku jetonin me qira motrat Nikolli, të cilat akuzuan Nuredin Dumanin si porositës të vendosjes së tritolit. Pas ngjarjes, Alda Nikolli, motra e Xhovana Nikollit, deklaroi në media se me Nuredin Dumanin kishte nisur një romancë në distancë disa kohë më parë.

Nga ana tjetër, Xhovana Nikolli njihet për lidhjen e saj me Amarildo Nikollin alias Xhanej i cili u arrestua nga policia rreth një vit më parë, si i dyshuar që ishte porositur për të vrarë dy persona në qytetin e Vlorës.