Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali kanë miratuar një ditë më parë marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, e po ashtu amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.
Sipas deputetit të PS, Etjen Xhafaj, hapi i fundit tani mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra-mijëra shqiptarë.
“Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe ne Dhomën e Deputetëve në Itali🇹, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.
Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë.
Falenderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italianët që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj!”, shkruan ai.
Kështu, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet.
Pas datës 6 korrik, shqiptarët në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin italian dhe atë shqiptar duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që kanë derdhur kontributet.Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë që do të përfitojnë pension në Shqipëri.
Po ashtu shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Për të marrë pension në Itali duhen 20 vite pune, ndërsa për të përfituar pension në Shqipëri mjaftojnë 15 vite pune. Deri tani shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete.