‘Ndërhyrja zgjati dy orë’! Flet mjeku që kreu operacionin e kryeministrit Edi Rama

Kirurgu Arben Gjata, i cili kreu ndërhyrjen të hernies inguinale të kryeministri Edi Rama ka folur për mediat duke dhënë detaje nga gjendja e kreut të qeverisë.

Në një prononcim për mediat, mjeku është shprehur se operacioni ka zgjatur rreth dy orë dhe se gjendja e kryeministrit është stabël, por sonte do të duhet ta kalojë natën në ambientet e spitalit Nënë Tereza.

“Rama është zgjuar nga anestezia dhe është në gjendje stabël. Operacioni i Ramës zgjati rreth 2 orë, ndërsa kryeministri do të qëndrojë sot në ambientet spitalore Operacioni ishte planifikuar disa ditë më parë”, u shpreh ai.

Kjo është hera e dytë brenda 18 muajsh që Rama shtrohet në spital, pasi në prill të vitit të kaluar bëri një ndërhyrje për heqjen e apandesitit. Rama e paralajmëroi këtë ndërhyrje në fund të gushtit, teksa ishte për një inspektim në spital.

“Mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje. Kam një hernie inguinale, që i kam mësuar edhe emrin, se kësaj diskales nuk i kërkoj mjek sepse punoj me forcat e mia, me stretch, me vetëpërmbajte përpara ushqimit që të mos rëndoj shumë mbi kolonën e lodhur nga basketbolli, po kësaj inguinales mesa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do vij prapë me shumë kënaqësi”, deklaroi Rama.