Kjo pikturë mund të shitet për 32 milion paund…e gjetur në një stacion autobuzi!

Një pikturë e mjeshtrit italian të Rilindjes, Titian, e cila u gjet në një qese plastike në një stacion autobusi në Londër, pritet të arrijë vlerën e 32 milionë dollarëve në ankand në korrik.

“The Rest on the Flight to Egypt” do të dalë në ankand në Christie’s me një vlerësim prej 19 milionë deri në 32 milion dollarë, sipas një deklarate nga shtëpia e ankandit.

Piktura përshkruan Jezusin, Marinë dhe Jozefin duke pushuar rrugës për në Egjipt pasi mësuan se Herodi, Mbreti i Judesë, donte të vriste Krishtin e ri.

Titian, emri i vërtetë i të cilit ishte Tiziano Vecellio, e bëri veprën në dekadën e parë të shekullit të 16-të, në fillim të karrierës së tij. Me përmasa vetëm 46.2 centimetra x 62.9 centimetra, piktura është e vogël në krahasim me disa nga veprat masive për të cilat Titian u bë i njohur më vonë në jetën e tij.

Pasi kaloi nëpër duart e aristokratëve të ndryshëm evropianë, piktura u grabit nga trupat Napoleonike gjatë pushtimit francez të Vjenës në 1809 dhe u dërgua në Paris.

Ajo u kthye në Vjenë në 1815 dhe u zhvendos përsëri nëpër koleksione private përpara se të përfundonte me John Alexander Thynne, Markezin e 4-të të Bath, në Wiltshire, Angli.

Në vitin 1995, ajo u vodh nga Longleat, shtëpia e pasardhësve të Thynne, dhe u zhduk për shtatë vjet, përpara se të gjendej në një stacion autobusi në Londër nga detektivi i artit, Charles Hill.

“Kjo është një pikturë, pra, që është lakmuar nga aristokratët dhe perandorët, e çmuar për skenën e saj me ngjyra të gjalla të dashurisë familjare brenda botës natyrore”, tha Christie’s në deklaratë.

Piktura do të ofrohet si pjesë e ankandit Old Masters Part I në Christie’s në Londër më 2 korrik.