I fshehu gjyshi në pakot e makaronave, mbesat gjejnë thesarin pas 20 vitesh

Dy motra nga Xhenova e Italisë kanë gjetur një thesar të vërtetë, të fshehur në disa paketime makaronash. Brenda pakove që ishin ruajtur në bodrumin e gjyshit të tyre kanë qenë të fshehura 150 milionë lireta.

“Nuk mund t’u besoja syve”, tha njëra nga të dyja për agjencinë e lajmeve Adnkronos.

Por lajmi i keq është se Bankitalia iu ka kthyer përgjigje duke thënë se shuma e parave nuk mund të konvertohet në euro duke qenë se kanë kaluar mbi 10 vjet nga hyrja në fuqi e monedhës së re.

“Rreth 20 vjet më parë gjyshi im vdiq papritur, për shkak të një ataku. Dhe babai im donte ta blinte banesën. Por ne nuk u kthyem më për të jetuar atje. E lëshuam me qira dhe i vendosëm të gjitha gjërat e gjyshit në bodrum. Disa kohë më vonë vdiq edhe babai ynë.”

Në vitin 2023 familja vendosi ta shesë shtëpinë, ndaj motrat u kthyen në apartament për të marrë plaçkat e vjetra që ndodheshin aty.

“I zbrazëm vazot, larguam shishet e verës”, tha njëra nga motrat, por më vonë në pakot e makaronave gjetëm një grumbull kartëmonedhash prej 150 milionë lireta, të gjitha të fshehura në dhjetë pako.

“Ne iu drejtuam Bankës së Italisë për të kërkuar që të bëhet këmbimi, por ata u përgjigjën se pasi kanë kaluar dhjetë vjet nga hyrja në qarkullim e euros (2002), nuk është më e mundur”, sqaruan ato.

Tashmë dy motrat po mendojnë t’i shkruajnë edhe Presidentit të Republikës dhe guvernatorit të Bankës së Italisë për të kërkuar këmbimin e liretave me euro.

“Do të doja t’i lusja atyre dhe kujtdo që mund të ketë mundësi të bëjë diçka, të vërë dorën në zemër, sepse kombet e tjera evropiane vazhdojnë të këmbejnë para nga monedhat e vjetra që gjenden mbase rastësisht. Si në rastin tonë ka shumë familje të tjera. Shumë gjyshër dhe shumë prindër kanë kursyer një jetë dhe kështu ata janë duke frustruar sakrificat e tyre. Unë me të vërtetë shpresoj se diçka mund të bëhet”, tha njëra prej dy motrave.