Teksa uragani ‘Helene’ ka përfshirë SHBA duke shkaktuar të paktën 50 viktima, një histori e veçantë tërhoqi vëmendjen gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Meteorologu Bob Van Dillen, që po raportonte nga Atlanta, dëgjoi një grua duke bërtitur për ndihmë pasi ishte bllokuar në makinën e saj nga përmbytjet. Fillimisht, ai njoftoi policinë, por duke kuptuar se ata nuk do të mbërrinin në kohë, vendosi të veprojë vetë.
Van Dillen ndërpreu raportimin dhe mes vështirësive, ai arriti ta nxjerrë gruan nga makina e saj, duke e çuar në një vend të sigurt. Për shkak të përmbytjeve të mëdha, gruaja mund të kishte mbetur e bllokuar në makinë duke rrezikuar seriozisht jetën e saj.
Kur u pyet për këtë akt nga gazetarja Ainsley Earhardt, ai u shpreh me modesti: “Ajo po panikosej dhe nuk kuptohej çfarë po fliste. U përpoqa të hap derën, por presioni i ujit nuk më lejonte. I thashë të ulte xhamin e dritares, dhe vetëm atëherë munda ta hap derën.”
Ndërkohë, uragani ‘Helene’, i kategorisë 4, goditi rëndë bregun perëndimor të Floridës, duke shkaktuar dëme të mëdha jo vetëm në këtë shtet, por edhe në Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut. Përmbytjet masive dhe dallgët e fuqishme kanë përfshirë qytete të tëra, duke shkaktuar situata të rrezikshme për banorët.
Veçanërisht Florida ka përjetuar impaktin më të madh të uraganit, ndërsa qytete si Atlanta në Xhorxhia dhe rajone të Karolinës së Jugut po përballen me përmbytje të mëdha dhe dëme infrastrukturore. Autoritetet vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar njerëzit e prekur dhe për të përballuar situatën e rënduar nga stuhia.