Historia e trishtë e familjes Bunga! Gjyshi u përplas për vdekje nga makina, kalvari i vuajtjeve të Amelias së vogël që mbeti e aksidentuar rëndë

Kilometra larg Tiranës, në një prej fshatrave të Burrelit, Veli dhe Fërdëze Bunga, ndërtuan familjen e tyre me 3 fëmijë, 2 djem dhe 1 vajzë. Një prej tyre është Hazizi që është sot me ne, djali i vogël i familjes.

Kur Hazizi ishte 5 vjeç familja zhvendoset në qytet, me shpresën se Burreli do të sillte një të ardhme më të mirë për fëmijët. Prindërit punonin me ç’të mundnin, por edhe punët në fshat nuk i lanë pas dore…

Hazizi nisi punë si shofer, sapo mbushi 18 vjeç. Në një prej ditëve që shkonte në punë, dikush i bën një telefonatë, duke I thënë të kthehej sa më shpejt. Me ankthin se çfarë po ndodhte, e me distancën që i dukej tani shumë më e madhe, Hazizi arrin në Burrel dhe gjen të bërë shkrumb e hi shtëpinë e tyre. Gjithë puna e një jetë e prindërve por edhe e fëmijëve, u shemb brenda pak orësh. Në këtë dhimbje gjetën ngushëllimin që të paktën kishin njëri-tjetrin dhe askush nuk u dëmtua.

Kjo ngjarje solli në familje ndjesinë e parë të humbjes, dhe siç thotë Hazizi tashmë dera e vuajtjeve u hap.

Asokohe gati 15 vite më parë, i dërgojnë në një banesë shtetërore, e ngjashme me një konvikt. Jetonin edhe familje të tjera, ku korridoret dhe tualetet ishin të përbashkëta, por s’kishte vend për ankesa. Të paktën e kishin një çati mbi kokë.

Me vitet, motra dhe vëllai u martuan dhe me prindërit ngeli vetëm Hazizi.

Hazizi kishte nisur të transportonte mobilje në fshatra të ndryshëm të Burrelit. E në një prej ditëve sytë i panë Florinën. Një vajzë e bukur, që i mori menjëherë zemrën.

Florina erdhi nuse në familjen Bunga, ku gjeti shumë varfëri, por edhe shumë ngrohtësi.

Muret e lagështa të asaj shtëpie të vjetër u ngrohën nga të qeshurat e fëmijëve që çifti i ri solli në jetë. E para lindi Ajla, që sot është 10 vjeç, më pas Amelja që sot është 7, 2 vite më vonë djali Ani dhe në këtë vit e vogla e familjes Alea.

Rolet në familje ishin të ndara në mënyrë gati perfekte. Gjatë javës Florina punonte në rrobaqepësi, Hazizi shofer, ndërsa gjyshërit ndihmonin në mbajtjen e fëmijëve, në përcjelljen për në shkollë e për t’i marrë sërish në shtëpi.

Ajo që më pas do të prishte çdo ekuilibër në familje do të ishte një ditë e zymtë shkurti, e këtij viti.

Mëngjesi nisi si zakonisht. Prindërit shkuan në punë, fëmijët bën gati çantat e shkollës, dhe gjyshi i shoqëroi për në shkollë.

Ajla shkonte në klasën e 5 ndërsa Amelia kishte pak muaj që kishte nisur klasën e parë.

Atë ditë Ajlën, motrën më të madhe, e merr gjyshja më shpejt nga shkolla duke i lënë porosi të shoqit që të merrte më pas të voglën Amelia.

Rrugës për në shtëpi, Ajla me gjyshen kthehen për të blerë këpucë tek të përdorurat, thotë Hazizi.

Gjatë rrugës së kthimit gjithë sytë e njerëzve ktheheshin drejt tyre. Disa i shikonin me habi, disa me keqardhje, e disa ulnin sytë, por diçka i bashkonte; asnjë nuk iu fliste. Ndoshta sepse në të tilla raste nuk ke fjalë.

Ajo që theu heshtjen ishte telefonata e një të afërmi, që njofton gjyshen se pranë shtëpisë së tyre kishte ndodhur një aksident.

Lanë këpucët e sapo blera dhe të dyja vrapuan për në vendngjarje.

Ajo që do të kishte qenë një ditë normale, ku gjyshi ecte në trotuar me mbesën prej dore, rrugës për në shtëpi, u kthye në një rrugë të lënë përgjysmë.

Një makinë që kalonte me shpejtësi, del nga rruga dhe i përplas të dy.

Veliu 74 vjeçar, babai i Hazizit që kemi në studio, iku nga kjo jetë, duke thënë vetëm disa fjalë të fundit. “Me shikoni vajzën, mos u merrni me mua…”

Dhe më pas heshtje e një kalvar i pafund vuajtjesh për Amelian 7 vjeçare që mbeti e aksidentuar rëndë.

Në trupin e saj të vogël, i vetmi vend ku aksidenti s’la shenja ishte koka.

Diku mbeti çanta e shkollës, ashtu e grisur dhe copëtuar, diku mbetën këpucët e vjetra që i bleu nëna e që kanë 7 muaj që presin të vishen.

Hazizi kur mësoi lajmin shkoi menjëherë në spital. E vetmja porosi që la ishte të kishin kujdes Florinën e cila ishte shtatzënë në prag të lindjes.

Teksa Hazizi ikte me ambulancë në Tiranë, me Amelian që luftonte me jetën, në anën tjetër të shtëpisë Florina shtatzënë qante për vajzën dhe lutej që të ishte gjallë.

Amelia qëndroi 3 javë në reanimacion, kishte dëmtim në organe, thyeje të kockave e një sërë kompikimesh shëndetësore.

Hazizi flinte jashtë derës së spitalit, duke vuajtur për vajzën, por dhe për humbjen e babait të cilin nuk mundi as të përcillte në banesën e fundit. E mundonte edhe meraku për të shoqen, e cila në 10 ditë humbi 10 kilogramë.

Në netët pa gjumë e plot ankth, ku operacionet e Amelias nisnin në orën 3 të mbrëmjes e përfundonin pasditen e ditës tjetër, mori lajmin se u bë baba. Florina 2 javë pas aksidentit solli në jetë Alean që sot është 7 muajshe.

Ishte një rreze shprese, por u kthye shpejt në një tunel të errët që si gjendej drita.

Alea lindi e sëmurë. Qante shumë dhe nuk mbushej me frymë. Papritmas familja e lumtur e Burrelit u nda në copëza. Në një anë qëndronte babai me Amelian në reanimacion, në tjetrën Florina me të sapolindurën sërish në reanimacon e diku më larg, në shtëpinë që e pushtoi dhimbja qëndronte gjyshja që humbi bashkëshortin e kujdesej për 2 fëmijët e tjerë.

Gjendja e të sapolindurës ishte emergjente dhe duhej dërguar jashtë Shqipërisë. Bën thirrje për ndihmë tek Fondacioni Firdeus, pa treguar se kishin edhe një vajzë tjetër në spital të aksidentuar rëndë.

I dukej shumë të kërkonin ndihmë 2 herë. Një lajm i mirë gëzoi paksa prindërit, kur mësuan që shuma e kërkuar u mblodh dhe Alea do të nisej për kurim jashtë. 2 javë më vonë u rikthye shëndoshë e mirë, teksa Amelia qëndronte në spital në pritje për të njohur motrën e saj.

Jeta e Amelias vazhdon mes vuajtjeve të shumta. U bë 7 muaj që nuk ka dalë nga spitali, 7 muaj që nuk ngrihet dot të ecë, 7 muaj në të cilët ka kryer 32 operacione.

Ajo që Amelia ka nevojë tani, është shpresa se do të mund t’i rikthehet normalitetit, se do të mund të ecë vetë, të dal nga spitali, të shkojë të përqafoj motrat dhe vëllanë që i mungojnë aq shumë. Mjekët kanë thënë se nëse shkon jashtë ka mundësi që të kryej disa ndërhyrje që do i rikthejnë funksionet e trupit. Dhe Hazizit me Florinën si mbetët gjë tjetër veçse të lutën e të besojnë se për ta nuk do të ketë vetëm zi/TCh