Shqiptari lë partneren në makinë dhe arratiset nga policia greke, çfarë iu gjet në banesë

Një 40-vjeçar shqiptar është përpjekur të largohet me shpejtësi pasi ka pikasur policinë greke që po i afrohej për kontroll. Incidenti ndodhi në Greqi, kur 40-vjeçari refuzoi të ndalojë makinën dhe nisi të arratisej, duke plagosur edhe një efektiv policie gjatë përpjekjes për të shpëtuar.

Gjatë ndjekjes, ai braktisi automjetin dhe hodhi një pako që përmbante 1.42 kg kanabis të papërpunuar. Përveç kësaj, ai la pas edhe partneren e tij 33-vjeçare në makinë, e cila u arrestua nga policia greke në vendngjarje.

Autoritetet kanë identifikuar 40-vjeçarin dhe e kanë shpallur atë në kërkim. Të dy, si ai ashtu edhe partnerja e tij, akuzohen për transport të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrolleve në shtëpinë e tyre në Selanik, policia gjeti dhe sekuestroi një pako kokainë prej 5.78 gramësh dhe një peshore elektronike, ndërsa automjeti u sekuestrua si pjesë e hetimit.