Masakra me pesë viktima në Itali, zbardhet dëshmia e djalit të autorit

Është zbardhur dëshmia e djalit të autorit të ngjarjes në Itali ku mbetën të vrarë pesë persona.

“Të gjithë po bërtisnin në shtëpi”, deklaroi 14-vjeçari, i cili i mbijetoi masakrës. Ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk janë zbardhur arsyet e ngjarjes tragjike, megjithatë dëshmia e adoleshentit që mbijetoi do të ndihmojë në hetime. Të gjithë ata që janë marrë në pyetje deri tani nuk kanë patur dijeni për ndonjë mosmarrëveshje në familje, ndërsa autori, Roberto Gleboni, është përshkruar si një njeri i sjellshëm.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, kur Gleboni qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Giuseppina Massetti, pas një debati. Sherri nisi rreth orës 06:30, kur autori u rikthye në shtëpi pas një turni nate. Ai fillimisht ekzekutoi të shoqen dhe qëlloi tre fëmijët e tyre; vajza 26-vjeçare humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy djemtë u dërguan në spital, por 10-vjeçari nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Pas vrasjeve në familje, Gleboni plagosi fqinjit e tij, Paolo Sanna, i cili kishte shkuar për të ndihmuar pas dëgjimit të të shtënave. Ai u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Më pas, autori shkoi te nëna e tij dhe e qëlloi atë, duke e lënë 84-vjeçaren të plagosur. Në fund, ai ktheu armën ndaj vetes dhe u vetëvra, ndërsa vëllai i tij shprehu frikën se do të ishte bërë viktimë po të kishte qëndruar më gjatë.