Itali/ Maria 42 vjeç lë takim me 17-vjeçarin, ai e vret

Një krim i rëndë ka tronditur Italinë, ku një grua 42-vjeçare, Maria Campai, e zhdukur prej dy javësh, u gjet e vrarë. Autor i vrasjes rezulton të jetë një 17-vjeçar, me të cilin viktima ishte njohur në internet.

Ngjarja ndodhi në Viadana, ndërsa motra e Marias kishte denoncuar zhdukjen e saj më 19 shtator. Pas hetimeve, u zbulua se adoleshenti e kishte goditur disa herë në kokë dhe më pas e kishte mbytur.

Trupi i Marias u gjet i fshehur në një shtëpi të braktisur, në një vend të vështirë për t’u parë. Motra e viktimës identifikoi të riun si personin me të cilin Maria kishte dalë ditën e zhdukjes.

Sipas mediave italiane, adoleshenti është arrestuar dhe po përballet me akuza të rënda për vrasje. Rasti ka tronditur opinionin publik në Itali për shkak të dhunës dhe mënyrës brutale të ekzekutimit.