Vrau ish-bashkëshorten gjyqtare, Fadil Kasemi dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata e Lartë ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Fadil Kasemin, i cili u shpall fajtor për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtaren Gildez Hafizi.

Sipas Anila Hoxhës, Gjykata ka vendosur “të mos pranojë rekursin e paraqitur nga i akuzuari Fadil Kasemi, kundër vendimit nr. 39, datë 15.05.2019, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë.”

Kasemi vrau ish-gjyqtaren në përpjekjen e tij të dytë për ta bërë këtë, pas konflikteve të vazhdueshme që pasuan ndarjen e tyre në gusht të vitit 2017. Fillimisht, ai e mohoi fajin, duke pretenduar se vuante nga probleme mendore, por ekspertiza përfundimtare konfirmoi se ai ishte i aftë mendërisht për të qëndruar para drejtësisë.