“Për shqiptarët” nga Marina Vjollca dhe Elvis Naçi, nis nesër programi që i bën bashkë të gjithë për të dhënë shpresë dhe kurajë

Për shqiptarët, është spektakli më emocionues me protagonistët e vetëm njerëzit e thjeshtë me historitë e tyre frymëzuese.

Programi që bën bashkë të gjithë shqiptarët për të dhënë shpresë, kurajo dhe realizuar ëndrra vjen nën moderimin e Elvis Naçit, që bamirësinë e ka kthyer në një kauzë mbarëshqiptare dhe Marina Vjollcës, që rikthehet në shtëpinë mediatike, Top Channel.

“Ku ka më bukur që në një program të bëhen bashkë të gjithë shqiptarët për të ndihmuar njëri-tjetrin, për t’i dhënë shpresë njëri-tjetrit dhe për të na bërë të ëndërrojmë… I kam të gjitha ndjenjat e gërshetuara bashkë ndihemi shumë mirë që kthehem në shtëpinë time të parë mediatike, aty ku u linda dhe rrita profesionalisht”, tha Marina Vjollca.

Për shqiptarët do të jetë një derë për këdo që jeta e ka sfiduar me humbje dhe dhimbje. Personazhet do të rrëfejnë live historinë e tyre dhe kushdo që do t’u dhurojë dashuri e shpresë mund ta bëjë në transmetimin e drejtpërdrejtë.

“Live e bën shumë të ndjeshëm dhe transparent ngjarjen që po ndodh. Nuk ka gjë më të mirë se të bëhet live, është transparente, është e ndjeshme, dhe tregon atë që unë mendoj se është në ADN-në e shqiptarit, ajo që quhet bamirësi”, tha Elvis Naçi.

Në një studio krejtësisht të re, po bëhen përgatitjen e fundit. Moderatorët nuk zbulojnë shumë detaje, por shprehen të bindur se rrëfimet njerëzore do të mbajnë mbërthyer publikun.

“Më beso, jemi çdo ditë në mbledhje me orë të gjata dhe çdo ditë na ndodh të prekemi nga historitë e shqiptarëve tanë. Vetëm pak minuta më parë, mbase mund ti kem sytë e lotuar, por lexojmë çdo ditë histori të reja dhe kam krenare që bëj një program të tillë dhe që shqiptarët janë kaq të fortë”, tha moderatorja.

E premtja në mbrëmje në Top Channel do të jetë për shqiptarët, për dashurinë, për jetën…

“Në emisionin nesër në orën 21:00, Për shqiptarët, do të ketë emocione të pafundme”, u shpreh Naçi.