Themeluesi i Telegram-it, Pavel Durov, do i dorëzojë autoriteteve të dhënat e Telegram

Themeluesi i Telegram-it, Pavel Durov, prej kohësh i njohur si një mbrojtës i privatësisë dhe lirisë online ka prezantuar ndryshime të rëndësishme në Politikat e Privatësisë dhe Kushtet e Shërbimit të aplikacionit pas arrestimit të tij të fundit.

“Telegram mbron privatësinë tuaj. Ne kurrë nuk do ta ndryshojmë Politikën tonë të Privatësisë për shkak të kërcënimeve nga zyrtarët lokalë”,-ka qenë motoja e Telegram.

Premtimet e mëparshme të Durov tani tingëllojnë të pavërteta, pasi Telegram do të fillojë të zbulojë adresat IP dhe numrat e telefonit të përdoruesve për autoritetet, në përputhje me urdhrat e gjykatave për ata që shkelin rregullat.

Durov ka kritikuar vazhdimisht platformat konkurrente për problemet e tyre të privatësisë dhe sigurisë, por ka qëndruar i heshtur për dobësitë e Telegram-it. Duke shtuar skepticizmin, pothuajse të gjitha postimet e @Durov para vitit 2022 janë ndryshuar në mënyrë të mistershme muajin e fundit.

A është Telegram ende aq transparent sa pretendon? A është bërë i padallueshëm nga platformat “jo-private” që dikur kritikonte?

Me pothuajse një miliard përdorues që u regjistruan për premtimin e tij për privatësi, tani po pyesin nëse të dhënat e tyre mbeten të sigurta.