“Ishte përmbytur krejt”, flasin të afërmit e policit që humbi jetën me motor në Shkodër

Lidhur me aksidentin tragjik që i mori jetën policit pas mesnatës në fshatin Bardhaj të Shkodrës kanë folur edhe të afërmit e tij, të cilët tregojnë se shkak i ngjarjes u bë moti i keq dhe mungesa e ndriçimit.

“Ishte përmbytur krejt, këtu ka qenë det, atë e di Zoti, por ka pasur shumë ujë. Ka qenë me motor me drita ndezur dh iu ka dukur tokë gjithkund”, tha një nga të afërmit.

“Ka ardhur një stuhi e madhe e rrezik i madh për të e familjen e tij”, tha një tjetër.

51-vjeçari Nikoll Lekndrejaj, i cili ishte punonjës policie i Forcës Kombëtare të Sigurisë në Shkodër, ka qenë duke udhëtuar me motor kur ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.

Dyshohet se shkak i aksidentit janë bërë kushtet e këqija atmosferike me reshje shiu dhe erë të fortë që përfshinë gjithë rajonin e Shkodrës mbrëmjen e së martës.

Trupi i viktimës u gjet nga policia në orët e para të mëngjesit pasi e kishte marrë rrjedha e fortë e kanalit që derdhet në lumin Kir.