Çmenduri! Ura që lidh dy fshatra përbëhet me dy dërrasa, qytetarët si në cirk nëse s’duan të bien në lumë

Sot, më 25 shtator 2024, banorët e fshatrave Qelëz dhe Buzhalë në Pukë kanë ngritur shqetësime të mëdha mbi mungesën e kushteve të sigurisë në urën që lidh dy fshatrat. Kjo urë, e cila është një ndër pikat kryesore të kalimit për banorët e zonës, përbëhet në strukturën e saj thjesht nga disa dërrasa.

Me hekurin e ekspozuar, teksa mbrojtëset anësore mungojnë plotësisht e bëjnë kalimin jashtëzakonisht të rrezikshëm për këmbësorët.

Kjo urë paraqet një rrezik serioz, sidomos gjatë natës ku çdo kalimtar rrezikon të bjerë në ujë nëse nuk mban balancën.

Apelat e banorëve për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të kësaj ure kanë rënë në vesh të shurdhër deri tani. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale dhe ato përgjegjëse për infrastrukturën, për të parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme.

Në një zonë ku infrastruktura është thelbësore për lidhjen e banorëve me pjesën tjetër të qytetit, siguria e urave dhe rrugëve mbetet një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme.