U zhduk për 4 orë dhe s’mban mend asgjë, 52-vjeçari: Më rrëmbyen alienët!

Një 52-vjeçar nga Skocia beson se është rrëmbyer nga alienët. Ndonëse mund të duket një pretendim i çuditshëm, David Paton është i vendosur në bindjen e tij derisa dikush t’i provojë të kundërtën.

Historia e tij nis në vitin 1993, asokohe 22-vjeç, kur kishte përfunduar turnin e tij si kuzhinier në një restorant në Kinross, Skoci. Pasi kishte shoqëruar një koleg me makinë për në shtëpi, ai po drejtohej në shtëpinë e tij nëpër një rrugë të re që sapo ishte ndërtuar.

“Ajo që mbaj mend është se po ngisja makinën në autostradën e re, por më pas nuk kujtoj asgjë deri sa arrita në shtëpi,” shpjegon David.

Kur mbërriti në shtëpi, nëna e tij e priti me habi: “Ku ke qenë deri në këtë orë?” Ai u përgjigj se sapo kishte përfunduar punën dhe kishte shoqëruar kolegun e tij, por nëna e tij i tregoi se tashmë ishte ora 3 e mëngjesit, kohë e cila ishte 4 orë më vonë nga momenti kur ai kthehej në shtëpi zakonisht.

David nuk kishte asnjë shpjegim për 4 orët e “zhdukjes” së tij dhe pas shumë reflektimesh, arriti në përfundimin se mund të ishte rrëmbyer nga alienët, ndonëse ai nuk kishte ndonjë interes të madh për UFO-t më parë.

Për më shumë se 30 vite, David është përballur me tallje nga miqtë dhe familja e tij për këtë teori, por ai mbetet i palëkundur se rrëmbimi nga alienët është shpjegimi më i arsyeshëm për atë që ndodhi atë natë.

Në kërkim të përgjigjeve, David është bërë pjesë e një grupi në Mbretërinë e Bashkuar që studion fenomenet paranormale. Ai takohet me anëtarët e këtij grupi një herë në muaj dhe merr pjesë si “roje nate”, ku përpiqen të identifikojnë objekte të panjohura në qiell. Edhe pse grupi nuk ka zbuluar ende ndonjë UFO gjatë këtyre vrojtimeve, David vazhdon kërkimin e tij për të kuptuar çfarë ndodhi atë natë.

Sot, ai është duke kërkuar një terapist regresiv për të eksploruar kujtimet e tij dhe për të kuptuar më mirë atë që mund t’i ketë ndodhur.

“Do të doja të dija nëse ishte një rrëmbim apo ndonjë gjë tjetër,” thotë ai. “Më mjafton vetëm të di se çfarë ndodhi me mua gjatë atyre katër orëve e gjysmë.”