Sigurimi i detyrueshëm i mjetit, tarifa të reja nga 1 janari. Si shteti do të favorizojë kompanitë e sigurimeve

Nga 1 janari 2025 shumë drejtues automjetesh pritet të përballen me çmime të reja të sigurimit të detyrueshëm të makinave pasi autoritetet shtetërore kanë dalë me një rregullore të re që sanksionon vlera të ndryshme monetare bazuar në disa kritere të reja.

Nga 1 janari, sipas rregullores së re të Bordit të AMF (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare), do të aplikohen tarifa të ndryshme për mjete të ndryshme duke u bazuar në ato që cilësohen prej saj si faktorë rreziku.

Rregullorja “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” kërkon që kompanitë e sigurimeve, në përllogaritjen e primit të sigurimit të mjeteve të zbatojnë disa faktorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Ajo që bie në sy në rregulloren e re është dhe fakti se AMF u lë dorë të lirë kompanive të sigurimeve që të aplikojnë kritere edhe për faktorë të tjerë risku, të vlerësuar prej tyre.

Në bazë të këtyre përllogaritjeve do të nxirret dhe vlera e primit të sigurimit për automjetet të cilat sipas ligjit i nënshtrohen sigurimit të detyrueshëm vjetor. /noa.al