Atentat dy shqiptarëve në Itali, breshëri plumbash mbi “Audin” që udhëtonin

Dy shqiptarë u plagosen me armë në Como të Italisë pasi persona të maskuar i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.

Sipas medieve italiane, dy shqiptarët po udhëtonin me makinë kur një mjet tjetër u preu rrugën.

Më pas u afrua një motoçikletë dhe dy burra me fytyrë të mbuluar zbritën, i thyen xhamin e përparë të makinës dhe i qëlluan.

Objektiv ishin Indrit Lleshaj, 44 vjeç, banues në Paderno Dugnano, dhe Artan Lazar, 42 vjeç, banues në Cormano, të dy të njohur për policinë.

Ata u qëlluan disa herë me armë zjarri në gjoks dhe në qafë, dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, 21 shtator, në Turate, në via Como.
Dy shqiptarët e plagosur udhëtonin me një makinë tip Audi Q5, e cila fillimisht u bllokua nga një makinë tjetër e paidentifikuar.

Menjëherë më pas mbërriti një motoçikletë me dy personat të cilët dyshohet se janë dhe autorët e të shtënave. Njëri prej shqiptarëve është në rrezik për jetën.

Policia italiane po kryen hetime për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e mundshme të ngjarjes./vizionplus