Humbi shikimin teksa ngjitej i vetëm në Everest, ish-marinsi i shpëton mrekullisht vdekjes

Një ish-notar shpëtimi i Marinës Amerikane, ka ndarë historinë tronditëse të ngjitjes së tij në malin Everest, ku fatkeqësisht ai humbi përkohësisht shikimin në momentin më kritik.

Në një intervistë për kanalin në YouTube “Soft White Underbelly”, ai rrëfeu përvojën e tij të tmerrshme në mal, ku u përballë me situatën e vështirë që i mori shikimin.

Brian Dickinson, i cili kishte përvojë në terrene të vështira, u ngjit drejt majës së Everestit. Pasi shoqëruesi i tij u sëmur në një lartësi prej rreth 300 metra nga maja, Brian mori një vendim të vështirë: të vazhdonte ngjitjen i vetëm, duke lënë pas ekspertizën e shoqëruesit të tij tibetian dhe duke hyrë në “zonën e vdekjes” me nivele jashtëzakonisht të ulëta oksigjeni.

Pasi arriti në majën më të lartë të Everest pas katër orësh ngjitje i vetëm, gëzimi i tij u ndërpre kur sytë e tij filluan t’i digjnin dhe shikimi i tij u bë i turbullt. Brenda disa sekondave, ai ishte pothuajse plotësisht i verbër për shkak të një problemi me syzet e tij mbrojtëse.

Megjithëse ndodhej vetëm dhe me pak oksigjen, Brian u detyrua të zbresë malin në gjendje të verbër, duke përdorur aftësitë e tij ushtarake për t’u orientuar.

Në librin e tij “Blind Descent”, ai përshkruan agoninë e zbritjes centimetër pas centimetri dhe beson se një fuqi më e lartë e ndihmoi në atë situatë të vështirë. Me ndihmën e rezervës së oksigjenit që shoqëruesi i tij kishte groposur më parë, ai arriti të shpëtojë, duke rikuperuar shikimin e tij vetëm pas dy muajsh.