Antibiotiku i shkatërron jetën modeles, humb shikimin dhe lëkurën e saj

Një modele dhe specialiste në fushën e IT pësoi një reaksion alergjik të rëndë pas trajtimit me antibiotikun Ceftriaxone për tonsilit (bajame).

Bëhet fjalë për 31-vjeçaren nga Tajlanda, Sasinan Chuenlosang, e cila fillimisht kishte dhimbje fyti dhe skyqje të syve pas përdorimit të antibiotikut, por gjendja vijoi të përkeqësohej dhe pas tre ditësh ajo u kthye në spital me frymëmarrje të vështirësuar, skuqje të trupit dhe probleme me ecjen.

Pavarësisht gjendjes së përkeqësuar, mjekët i dhanë një tjetër dozë nga i njëjti ilaç, duke e diagnostikuar më pas me linë e dhenve. Gjendja e saj vazhdoi të përkeqësohej, duke i shkaktuar humbje të shikimit në njërin sy dhe skuqje të lëkurës në të gjithë trupin.

Pas disa javësh në kujdes intensiv, Sasinan u diagnostikua me sindromën e rëndë Stevens-Johnson, një çrregullim i rrallë, zakonisht i shkaktuar nga reaksione negative ndaj antibiotikëve, që shkakton ‘zhveshje’ të lëkurës dhe komplikime të tjera të rënda shëndetësore.

Ajo qëndroi në spital për më shumë se një muaj dhe po lufton me pasojat e rënda të këtij reaksioni.

“Dhimbja ishte aq e fortë sa mendova vërtet se do të vdisja. Ishte e tmerrshme. I gjithë trupi më digjej dhe ndjeja dhimbje të tmerrshme. Nuk ka fjalë për të përshkruar se si ishte. Para se kjo të më ndodhte, isha e punësuar në një kompani IT dhe isha modele online në kohën time të lirë. Si shumica e vajzave të moshës sime, shpenzoja kohë dhe para me produkte të ndryshme kozmetike dhe mjekësore për t’u kujdesur për pamjen time”, u shpreh ajo në një prononcim për mediat.

Ministria e Shëndetësisë në Tajlandë ka nisur hetime për cilësinë e trajtimit dhe po shqyrton mundësinë e kompensimit për dëmet që ajo ka pësuar.