Skema e diplomave false nga universiteti “Wisdom”, kush është zyrtarja e Arsimit që dyshohet se u korruptua me një çantë “Louis vuitton” 1200 euro

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Guardia Di Finanza, që kanë çuar në pranga dy administratorët e Universitetit Wisdom në Tiranë, të cilët kanë ngritur një skemë mashtrimi, ku shpërndanin diploma false për studentët në Itali. Nga përgjimët e siguruara nga GDF zbulohet se një zyrtare e lartë e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, rezulton që të jetë korruptuar me një çantë Luis Vuitton, me vlerë 1200 euro, e cila më pas i ka hapur rrugën akreditimit të universitetit në Shqipëri.

La Republicca shkruan se zyrtarja në fjalë është Shqiponja Telhaj, e cila ka qenë në krye të Agjensisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, e njohur shkurtimisht si ASCAL. Kjo agjensi është një organ qeveritar, ndërsa Telhaj rezulton që të jetë zgjedhur me emërim direkt nga kryeministri. Telhaj ka pasur detyrën që të ndiqte të gjithë procedurën për akreditimin e Wisdom University.

Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çiftii i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të dy administratorë të universitetit. Duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, ata morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan.

Në rrjetet sociale Nino Cianci ka postuar foto nga jeta e tij në Shqipëri, ku nuk mungojnë takime me zyrtarë, profesorë dhe një axchendë e ngjeshur universitare. Burrë e grua, tashmë gjenden pas hekurave, ndërsa në qeli përfunduan dhe bashkëpunëtorë të tyre, të gjithë shtetas italian.

Sipas mediave në vendin fqinj, bashkë me çiftin GDF urdhëroi dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tyre që janë: Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa.

Ndërkohë që një listë e gjatë personash të tjerë, rreth 30 janë duke u hetuar në gjendje të lirë, si bahkëpunëtorë. Çifti i sipërmarrësve italianë, përveç Universitetit, në Shqipëri kishin dhe disa buiznese të tjera. Sipas GDF skema e ngritur prej tyre në thelb kishte si synim mashtrimin e studentëve, që pajiseshin me diploma pa kryer specializimin dhe trajnimet e duhura.

Dokumentet e prokurorisë italiane dëshmojnë se universiteti Wisdom printonte diploma false, kundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit, që kërkohej nga ana e përfituesve.

Megjithatë, titujt ishin të rremë. Disa prej vërtetimeve ishin edhe të falsifikuara si të Universitetit La Sapienza i Romës.

Në një rast një viktimë ka paguar transferta bankare deri në 9 mijë euro për specializim. Dokumentet publike, qartësisht të falsifikuara, në disa raste kishin të dhëna të palexueshme. 19.500 euro është shuma e paguar nga një tjetër student, viktimë e skemës për të marrë titullin master në shkencat e edukimit.

9 mijë euro për diplomën trevjeçare në “Kriminologji”, e dhënë sipas akuzës nga universiteti në fjalë. Kostoja për një diplomë hotelerie arrinte deri në 6 mijë euro.

Një episod tjetër i raportuar në dokumentat e hetuesve italianë ka të bëjë me një makinë Maserati, që ishte blerë për të “pastruar” paratë e fituara nga çifti i administratorëve.

Ndërkohë në Shqipëri nuk ka ende persona të arrestuar në lidhje me skandalin e diplomave. Përveç Shqiponja Telhajt, një emër tashmë i bërë publik nga mediat italiane, pjesë e skemës dyshohet që të jetë dhe një ministër arsimi në Shqipëri, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.

Universiteti Wisdom ka disa programe për studentët si:

Fakulteti i drejtësisë

Bachelor në Financë Bankë

Bachelor në menaxhim biznesi

Bachelor në psikologji

Master i shkencave e drejtë penale

Master i shkencave e drejtë civile dhe tregtare

Master i shkencave administrim biznesi

Master i shkencave psikologji shkollore dhe edukim

SI DHE PROGRAME DYVJEÇARE ME KARAKTER PROFESIONAL

“Agjent i pasurive të paluajtshme”

“Asistent juridik”

Asistent administrativ

Asistent social

/ZËRI