E gjitha filloi me shkrirjen e një akullnaje që shkaktoi një rrëshqitje të madhe dheu, e cila shkaktoi një megatsunami gati 200 metra të lartë në Grenlandë shtatorin e 2023. Më pas ndodhi diçka e pashpjegueshme: një dridhje misterioze që tronditi planetin për nëntë ditë.
Gjatë 12 muajve të fundit, 68 shkencëtarë në mbarë botën janë përpjekur të kuptojnë se çfarë ishte, dhe tani ata pretendojnë se e kanë përgjigjen, sipas një studimi të ri në revistën Science, i cili jep një paralajmërim tjetër se Arktiku është duke hyrë në “ujrat e paeksploruara”, ndërsa njerëzit i shtyjnë temperaturat globale gjithnjë e më shumë drejt ngrohjes.
Disa sizmologë menduan se instrumentet e tyre ishin thyer kur filluan të regjistronin dridhjet nëpër tokë në shtator, tha për CNN bashkautori i studimit Stephen Hicks, një sizmolog në University College London. Nuk ishte orkestra e notave të larta dhe gjëmimeve që mund të prisnit nga një tërmet, por më shumë një zhurmë monotone, shpjegoi ai. E çuditshme ishte se sinjalet e tërmetit zgjasin për disa minuta – ky tingull zgjati për nëntë ditë.
Shkencëtarët ishin të hutuar, ishte “krejtësisht e paprecedentë”, thanë ata. Sizmologët gjurmuan sinjalin në Grenlandën Lindore, por nuk mundën të përcaktonin vendndodhjen e saktë. Kështu ata kontaktuan kolegët në Danimarkë, të cilët kishin marrë raporte për një cunami të shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut në një pjesë të largët të rajonit të quajtur Dikson Fjord. Rezultati ishte një bashkëpunim gati njëvjeçar midis 68 shkencëtarëve nga 15 vende, të cilët kërkuan të dhëna sizmike, satelitore dhe tokësore, si dhe simulimet e valëve të cunamit, për të zgjidhur enigmën.
Ajo që ndodhi quhet një “rrezik kaskadë“, tha Svennevig, dhe gjithçka filloi me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Përkatësisht, prej vitesh akullnaja është shkrirë në rrëzë të një mali të madh që ngrihet më shumë se një kilometër mbi Dikson Fjord. Ndërsa akullnaja u hollua, mali u bë gjithnjë e më i paqëndrueshëm përpara se përfundimisht të shembet më 16 shtator të vitit të kaluar, duke dërguar mjaft gurë dhe mbeturina në ujë për të mbushur 10,000 pishina të përmasave olimpike.