“Hati i Tik Tok”, e bërë së fundmi virale për videot e saj me jetesën luksoze, ka reaguar sërish lidhur me lajmin e fundit, ku u ndalua nga policia për tejkalim shpejtësie me automjet.
Në një video të publikuar në rrjetin “Tiktok”, ajo tregon se ndryshe nga sa u raportua, automjeti i saj luksoz nuk është sekuestruar nga policia, e madje e tregon teksa e drejton bashkëshorti i saj Jashari, ku edhe për këtë të fundit u raportua se iu bllokua leja e drejtimit.
Hatixhe i quan ‘gënjeshtra’, teksa pranon se vetëm patenta e saj është bllokuar.
“A më shkon kjo ngjyra e re e thonjve, shikojeni pak me kujdes, bukur? Po outfit më shkon me sediljen e? Po Jasharit i shkon timoni? Po ça timoni qenka aa… ajo që ta kanë sekuestruar Jashar? Po si lëviz Jashari pa patentë, nuk pyeska për ligje për shtet? Besoj se jeni të zgjuar vetë për t’i dhënë kuptim gjithë gënjeshtrave për këtë muhabetin e policisë që ne s’kemi të bëjmë fare vetëm patenta ime ka ikur. E vumë dhe në karikim tani në oborrin e shtëpisë jo në komisariat dhe e mbyllim”,-shprehet ajo.
Madje ka një reagim edhe për të gjithë ata që e kanë ‘sulmuar’ në rrjetet sociale.
“Edhe një gjë të fundit për ju që më thoni si nuk ke turp, si nuk ke turp. Jo turp që s’kam, se s’kam bërë asnjë lloj krimi në këtë botë, por do ju dal dhe në ëndërr, ja mbajeni mend”.
Policia reagoi pak ditë më parë, duke deklaruar se çifti u ndëshkua me masë administrative, si dhe u ndalua automjeti me të cilin lëviznin me shpejtësi.
“Bazuar në disa video të shfaqura në rrjetet sociale ku shihet një automjet i cili nuk rregullon shpejtësinë e automjetit duke u bërë rrezik për vete dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, me drejtues shtetasin J.S si dhe shtetasen H.B e cila drejton një automjet me fuqi motorrike më të madhe se ajo e lejuar sipas Kodit Rrugor, specialistët e Policisë Rrugore identifikuan dhe ndëshkuan me masë administrative këta dy shtetas si dhe bënë ndalimin administrativ të automjetit të shfaqur në video”, njofton policia.