Nuk kanë të ndalur pastrueset hajdute. Një tjetër rast u zbulua në Durrës, raporton noa.al.
Operacioni i koduar “Kopja”, zhvilluar nga strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Durrës, identifikoi një grua që punonte si pastruese (sanitare) në banesën e një 59-vjeçari.
33 vjeçarja bashkëpunoi me dy vëllezër me të cilët kishte lidhje shoqërore, duke iu siguruar kopje të çelësit të banesës.
Këta, vodhën në banesë një shumë të konsiderueshme parash dhe bizhuterish te banesa e 59 vjeçarit.
Në pranga është vënë njëri prej vëllezërve dhe vijon puna për kapjen e vëllait tjetër, që kryen vjedhjen në banesën e shtetasit Sh.Gj., në lagjen nr. 18 Durrës.
Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një unazë dhe një varëse floriri si dhe një shumë parash.
Aksioni policor
Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës, morën një kallëzim nga shtetasi Sh. Gj., 59 vjeç, banues në lagjen nr. 18 Durrës, se në banesë i kishin vjedhur pa thyerje dyshohet nëpërmjet çelësit të derës, një shumë parash dhe bizhuterisht.
Ekipet policore kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti. Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në bashkëpunim me Prokurorinë është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, mekanizmi i vjedhjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve në kuadër të operacionit policor të koduar “Kopja” është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
F.H., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës dhe E.K, 33 vjeçe, banuese në lagjen nr. 11, Durrës.
Ndërkohë u shpall në kërkim shtetasi A. H., 36 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës, ku vijon puna për kapjen e tij.
Hetimi që çoi në arrestime
Nga veprimet profesionale hetimore disa ditore, bazuar dhe në inteligjencën policore, kqyerjen e kamerave dhe veprimeve të tjera proaktive, dyshohet se shtetasja E. K., duke qenë se punonte si sanitare në banesën e shtetasit Sh.Gj, ka siguruar kopje të çelsit të banesës dhe ua ka dhënë vëllezërve E. H dhe A. H., si dhe i ka informuar për mos prezencën e familjarëve në banesë.