Tjetër atentat në Shkodër, plagosen me armë zjarri 2 persona pranë një lokali

Dy persona janë plagosur pak minuta më parë në një atentat me armë zjarri pranë një lokali në Malësinë e Madhe, Shkodër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:45, në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, raporton noa.al. Në foto dhe pamjet filmike më poshtë shikoni pamje nga vendngjarja.

Policia tha se dyshonte që shtetasi Lul Rakaj ka plagosur me armë zjarri shtetasit Besmir Çofi 33 vjeç dhe Avenir Hasanaj, 36 vjeç.

Që të dy janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.

Policia është në kërkim të autorit të dyshuar të plagosjes së dyfishtë Lul Rakaj.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje bashkë me grupin hetimor dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Në ndihmë të Policisë Vendore për kapjen e autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe vijojnë kontrollin e zonës dhe në ambjente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një ngjarje që lidhet me të kaluarën.

Rreth 13 vjet më parë, Lul Rakaj ka vrarë shtetasin Kolë Mushku në Hot të Malësisë së Madhe duke u hakmarrë për vrasjen e babait të tij të cilin Kolë Mushku e kishte vrarë më përpara.