‘Der Spiegel’, shuplakë Ramës: Korrupsion në të gjitha nivelet dhe lidhje me krimin e organizuar!

“Ursula von der Leyen e quan atë ‘i dashur Edi’, që është tashmë një sinjal,” thotë Frauke Seebass nga zyra e Brukselit e Fondacionit për Shkencë dhe Politik: “Duhet ta shohësh fenomenin Rama në një kontekst më të gjerë – nga këndvështrimi i BE-së, bëhet fjalë për një qasje pragmatike për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor; Rama konsiderohet, ndryshe nga Aleksandar Vucic në Serbi, si jo anti-europian, më i butë; për këtë arsye, është vendosur që t’i mbyllet një sy, nëse jo dy.”

Edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e nderoi me vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në shkurt dhe shprehu fjalë lavdëruese për “Edin” – veçanërisht për reformën e tij të drejtësisë: “Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës”, tha Blinken. “Anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbasin pasuritë e tyre. Ky është një ndryshim i madh.”

Megjithatë, në raportin vjetor më të fundit të zyrës së Blinken, Departamentit të Shtetit të SHBA, tingëllon ndryshe.

Aty shkruhet se në vitin 2023, në vendin anëtar të NATO-s, Shqipëri, kishte “korrupsion në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet e qeverisë.”

Në të gjitha.

Kjo do të thotë: edhe në majë. Kundërshtarët politikë të Ramës pohojnë se ai ka kthyer vendin në një autokraci të dominuar nga paratë e drogës. Më saktësisht: ai ka toleruar fuqizimin e krimit të organizuar.

Kryeministri i mohon këto akuza.

Kur u ballafaqua me akuza të ngjashme nga SPIEGEL, kryeministri telefonoi vonë në mbrëmje dhe u përpoq të ndikonte në raportim: Ai i ndiente akuzat si të pamerituara, fyese dhe të dëmshme për reputacionin e vendit të tij.

Si mund të ndodhë, u pyet Rama nga një gazetar italian në qershor, që nga rrethi i tij më i ngushtë, njëri pas tjetrit po arrestohen për korrupsion, përfshirë ministra të ndryshëm, ndërsa ai vetë ende qëndron në detyrë?

Përgjigjja e ftohtë e kryeministrit shqiptar: “Në çdo pyll ka derra.”

Stabilizuesi i Ballkanit

Rama shihet nga këndvështrimi perëndimor si një stabilizues në Ballkan. Sidomos modeli i tij i negociuar me Meloni-n ka ngjallur interes edhe përtej Italisë: plani për të strehuar në territorin shqiptar refugjatët dhe migrantët e kapur në ujërat mesdhetare italiane për të përcaktuar nëse janë të denjë për azil.

Sa më popullor të bëhet Rama jashtë vendit, aq më shumë rritet zemërimi në rrethin e tij të ngushtë. Ata që dinë shumë dhe kanë shumë për të humbur, flasin vetëm nën kushtin e anonimatit.

Të tjerë dalin në rrugë.

Në korrik, demonstrues të zemëruar hodhën bomba Molotov kundër zyrës së Ramës në Tiranë. Shkallët e djegura janë pastruar tashmë.

A po pasurohet Rama në kurriz të të tjerëve?

“Nga perspektiva e Brukselit, kjo nuk është dhe aq e rëndësishme,” thotë Seebass: “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk është në rendin e ditës për momentin.”

Kryeministri vetë tha për televizionin shtetëror italian Rai: “Nuk mendoj sinqerisht që politika në Shqipëri është helmuar nga mafia.” Pretendimi i Ahmetajt, që bosët e mafias hyjnë dhe dalin nga zyra e tij, është një shpifje sa e pavërtetë, aq dhe e dëmshme pasi “njerëzit priren të besojnë më shumë gënjeshtrat sesa të vërtetën.”

Rama shqetësohet për reputacionin e vendit të tij. “Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, durimi ynë është pothuajse i pafund,” siguroi kryeministri për SPIEGEL dy vjet më parë në vilën e tij në Adriatik: Shqipëria ishte një diktaturë e izoluar, “Koreja e Veriut e Europës, ku në fund të viteve tetëdhjetë ishte ende e rrezikshme të dëgjoje Beatles. Prandaj unë pohoj se ne, në kuptimin absolut, kemi arritur më shumë në këto 30 vite sesa çdo vend tjetër i Europës.”

Varfëria, papunësia, emigrimi

Statistikat tregojnë të kundërtën. Që nga viti 1991, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, më shumë se një e treta e popullsisë prej 3.3 milionë banorësh ka emigruar nga vendi. Paga mesatare është rreth 750 euro. Gati një e treta e të rinjve që kanë mbetur janë të papunë.

*Marrë me shkurtime nga Der Spiegel