Miratohet propozimi për shpalljen e 2 marsit Festë Kombëtare

Ditën e sotme Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka miratuar projektligjin e deputetit socialist Eduart Ndreca që propozon shpalljen e 2 Marsit si festë zyrtare. Ndreca ishte ai i cili propozoi qe 2 Marsi 1444, ku u themelua Kuvendi i Beselidhjes se Lezhes, të shpallet dite feste zyrtare.

Deputeti tha se ky propozim do t’i shtojë me tepër rëndësi forcimit të identitetit kombëtar, gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj, për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje të epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Me kthimin e 2 Marsit 1444, që përkon me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ne jo vetëm vlerësojmë figurën më madhështore të historisë së kombit tonë, Gjergj Kastrioti, por dhe periudhën më të lavishme të historisë kombëtare dhe brenda kësaj periudhe datën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dita ku princat u mblodhën nën drejtimin e Gjergjit të madh dhe vendosën piketat më të rëndësishme që i duhen një kombi në rrezik asgjësimi, për të shpëtuar veten dhe vlerat që ai trashëgon”, tha ai.