I nxin jetën një vajze nga Durrësi në Facebook dhe Instagram, kapet i riu

Hapte llogari false në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”, nëpërmjet të cilave shqetësonte dhe fyente vazhdimisht një 24-vjeçare, si dhe mbante armë zjarri, pa leje, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Gjatë operacionit, në Fushë Mamurras, Policia gjeti në banesën e 33-vjeçarit dhe sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

Ky zhvillim erdhi sot, pas depozitimit të kallëzimit të një vajze 24 vjeçare nga Durrësi në vitin 2023 mbi shqetësime të vazhduara nga llogari të ndryshme të fallsifikuara në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram”.

Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila regjistroi procedimin për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Forcat policore kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit që hapte këto llogari në rrjetet sociale, si dhe është siguruar informacion se ai mbante armë zjarri, pa leje.

Mbi bazën e provave të siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka urdhëruar kontrollin e banesës së shtetasit G. M., i dyshuar për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale dhe për armëmbajtje pa leje.

Nga kontrolli i ambienteve të banesës së këtij shtetasi, në Fushë Mamurras, Kurbin, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri tip kallashnikov dhe 2 krehra me 46 fishekë.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi G. M., 33 vjeç u arrestua në flagrancë.