Lamine Yamal është bërë kandidati më i ri për “Topin e Artë” falë sezonit të jashtëzakonshëm të shkuar, që kulmoi me fitimin e Kampionatit Europian me Spanjën. Anësori i Barcelonës ka dhënë një intervistë për “L’Èquipe”, në të cilën ka treguar gjithashtu se si ka qenë fëmijëria e tij:
“Unë gjithmonë shkoja kudo me topin tim. E çova edhe në shkollë, por e fshihja në klasë, sepse mësuesja nuk më linte ta mbaja. Kam luajtur edhe me qentë, kam vrapuar gjithmonë me ta. Të luash kundër një qeni është gjëja më e vështirë”.
Yamal foli edhe për idhujt dhe kujtimet e tij të para futbollistike: “Kam adhuruar Neymar kur ishte te Santosi, padyshim Messin, Villa, gjithë Barçën. Ishin ndeshjet e para që pashë dhe kujtimet e mia të para nga futbolli. Të luajturit në rrugë, një kundër një, më hoqi frikën për t’u përballur me të rriturit. Ata ishin 20 vjeç, ndërsa unë 11”.
Mbërritja në ekipin e parë: “Barcelona është klubi që i trajton më së miri lojtarët. U bëra me turp ditën e parë që hyra në dhomën e zhveshjes së ekipit të parë, isha shumë nervoz. Pak nga pak e largova ndjenjën e turpit, gjatë debutimit tim nuk isha nervoz”.
Krahasimi me Messin: “Unë jam një djalë që nuk i pëlqen të relaksohet, por as ta ekzagjerojë. Është më mirë të mos i kushtoj vëmendje krahasimit, edhe nëse nuk më shqetëson. Nëse ju krahasojnë me lojtarin më të mirë në histori, ju jeni në rrugën e duhur”.